Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka akuzuar opozitën se sot doli kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës në takimin me evropianët.
Ai ka reaguar në një postim në Facebook pas takimit të disa partive opozitare në takimin me Grupin Punues nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave (COWEB), të cilët vizituan Kosovën për herë të parë, njofton Klan Kosova.
Por, Hoxhaj tha se pavarësisht agjendave dashakeqe të një pjese të politikës kosovare, lajmi i mirë i vizave do të vjen.
Ky është postimi i plotë i Hoxhajt:
Opozita sot hapur doli kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Është për keqardhje sjellja e përfaqësuesve të disa partive opozitare në takimin me diplomatët e shteteve anëtare (COWEB) që po e vizitojnë Kosovën për herë të parë.
Liberalizimi i vizave nënkupton liri udhëtimi për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe për anëtarët e opozitës. Lajmi i mirë nuk do të vonojë me gjithë agjendat dashakeqëse të një pjese të politikës në Kosovë.






