Sot ka filluar kampanja vetëdijesuese me temën: Potenciali i Rinisë së Kosovës drejt BE-së, me organizim të Ministrisë së Integrimit Evropian dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.
Takimi i parë është mbajtur në Prishtinë, ku ishin të pranishme ministrja e Integrimit, Dhurata Hoxha, shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova si dhe Behije Murtezi, balerinë e Baletit Kombëtar të Kosovës, Hana Qerimi, Themeluese e “Shkollës Digjitale” si dhe studentë dhe të rinj.
Ministrja Hoxha tha se është kënaqësi e veçantë të flas për rininë kosovare.
“Kosova është i vetmi vend evropian që shënon 9 Majin, Ditën e Evropës, kjo dëshmon orientimin tonë evropian. Edhe pse ende nuk e gëzojmë lirinë e lëvizjes, Kosova përbën vendin më pro-evropian. Presim që BE të ndërmerr hapin e radhës për t’i hapur rrugë e mundësi rinisë së Kosovës. Kosova meriton liberalizimin”, potencoi Ministrja Hoxha.
“Edhe BE-ja vazhdimisht e mbështet rininë e Kosovës me projekte të shumta që kanë të bëjnë me përmirësimin e sistemit arsimor, shkollimit profesional, përmirësimin e infrastrukturës sportive, kulturore, mundësitë për shkollim dhe programe shkëmbimi me universitetet më prestigjioze të Evropës”, vuri në pah Ministrja Hoxha dhe shtoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që potenciali rinor që kemi të ketë perspektivë të qëndrueshme.
Apostolova vlerësoi se të rinjtë janë pasuria më e vlefshme e Kosovës:“Rinia e shtyn përparimin dhe ata duhet të pajisen me aftësi për të qenë konkurrues në tregun e punës dhe për të kontribuar në zhvillimin e Kosovës. Në BE, ne mbështesim të rinjtë duke e bërë arsimin prioritet. Mbështesim ristrukturimin e sektorit të arsimit dhe ndihmojmë mësuesit me parime që të marrin njohuri për shkollimin modern. Ne ofrojmë mundësi për të studiuar jashtë vendit nëpërmjet programit Erasmus +. Autoritetet e Kosovës gjithashtu duhet të angazhohen më shumë, të riorganizojnë prioritetet dhe të investojnë në arsim dhe punësim për rininë”, potencoi Apostolova.
Në fjalën e rastit, Behije Murtezi, balerinë e Baletit Kombëtar të Kosovës, vlerësoi kapacitetin e rinisë së Kosovës, por ajo tha se duhet mbështetje për të shfaqur kapacitetin e vet krahas rinisë evropiane.
Ndërsa Hana Qerimi, themeluese e “Shkollës Digjitale”, diskutoi për potencialin e rinisë në fushën digjitale, diskutoi për një storje shumë të suksesshme personale, me më shumë se 10 qendra në Kosovë dhe në tri shtete tjera.
Në diskutim, e morën fjalën edhe të rinjtë e pranishëm, parashtruan pyetje por edhe theksuan se ndaj të rinjve të Kosovës po bëhet padrejtësi, sepse, Kosova është i vetmi vend në Evropë, me kufizim të lëvizjes së lirë.