Lokale - eSIMy

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti përmes një postimi në Facebook ka thënë se kryeministri Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi e kanë shkelë Kushtetutën e Kosovës, derisa për kryeparlamentarin Kadri Veseli ka thënë se është spektator pa seriozitet institucional.

“Sovraniteti dhe kufiri i Kosovës mbrohen me vendime kushtetuese. Kryeministri, kur e ka deleguar dialogun me Serbinë te presidenti e ka shkelur Kushtetutën duke mos ushtruar detyrimet e tij kushtetuese. Presidenti po e shkel çdo ditë kushtetutën duke u angazhuar, brenda dhe jashtë Kosovës, për korrigjim të kufijve. Kryeparlamentari është vetëm spektator, bënë fushatë në terren me fjalë të ashpra pa asnjë seriozitet institucional, ndërkaq e quan veten shef të koalicionit PAN”, ka shkruar Hoti.

Sipas Hotit për t’i mbuluar dështimet dhe angazhimet e tyre jo kushtetuese, presidenti, kryeministri e kryeparlamentari kanë ashpërsuar akuzat ndaj njëri-tjetrit.

Ai ka kërkuar zgjedhje për të dalë nga kjo situatë.

“Në një fushatë të ashpër, ata po i shtyjnë para agjendat e tyre klanore e partiake, duke e dëmtuar shtetin e Kosovës. Për të dalë nga kjo situatë, sa më parë duhet t’u japim mundësi qytetarëve të shtetit sovran të Republikës së Kosovës në kufijtë e 17 shkurtit 2008, të thonë fjalën e tyre në zgjedhje të lira”, ka shkruar Hoti.