Lokale - eSIMy

Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kujtuar 27 vjetorin e referendumit për Pavarësinë e Kosovës.

Ai ka thënë se po tentohet të anashkalohen institucionet demokratike për të realizuar projekte të dëmshme kundër shtetit të Kosovës, duke shkelur kështu vullnetin e shumicës qytetare të shprehur në referendum para 27 viteve.

Më poshtë shkrimi i plotë:

Referendumi i mbajtur më 26-30 shtator 1991, që ka legjitimuar Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, mbetet ndër ngjarjet më të rëndësishme në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Me gjithë dhunën, diskriminimin dhe kërcënimet, ato ditë mbizotërojë guximi qytetar dhe lidershipi vizionar i Rugovës. Ky veprim plebishtar konfirmoi vullnetin e shumicës dërmuese të qytetarëve të Kosovës për Liri, Pavarësi dhe Demokraci. Me këtë akt u legjitimua përfundimisht rreshtimi ynë properëndimor.

Sot, pas gjithë këtyre sakrificave, po tentohet të rishikohet ky vullnet i qytetarëve për Kosovën e pavarur në tërësinë e saj territoriale. Veprimet jo kushtetuese të bartësve të institucioneve kanë luhatur raportet tona me vendet mike, që me të drejtë po kundërshtojnë këto lloj aventura. Po tentohet të anashkalohen institucionet demokratike për të realizuar projekte të dëmshme kundër shtetit të Kosovës, duke shkelur kështu vullnetin e shumicës qytetare të shprehur në referendum para 27 viteve.

Si atëherë, ashtu edhe tani, LDK-ja do të mbrojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës.