17 ditë pas vdekjes së 39-vjeçares S.K. nga Lluga e Istogut, e cila fillimisht u tha se vdiq nga koronavirusi, por më pas u pas zhvarros me kërkesë të familjarëve për t’iu bërë autopsia, Prokuroria Themelore në Pejë këtë lëndë për hetim ia ka përcjellë Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

KOHA merr vesh se hetimin për këtë proces tani e tutje do ta bëjë Prokuroria Themelore në Prishtinë, derisa Prokuroria në Pejë, e cila kishte nisur ta hetonte stafin shëndetësor të Spitalit të Pejës për trajtim të pandërgjegjshëm nuk ka dashur të japë informata se përse ka vendosur që lëndën ta bartë për hetime në Prishtinë.

Rreth hetimeve që po bëhen për këtë vdekje ka vendosur të heshtë edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

KOHA ka tri ditë që ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria në Prishtinë lidhur me këtë lëndë dhe nëse ky institucion ka pranuar rezultatin e autopsisë, por nuk është ofruar asnjë informatë.

Derisa motra e viktimës, Fatime Salihu, ka thënë se deri më tani tre anëtarë të familjes kanë dhënë dëshmitë në Prokurori. Por që, sipas saj, ekziston shqetësimi, meqë rezultatin e obduksionit familja nuk e ka.

Drejtori i Spitalit të Pejës, Skënder Dreshaj, shkurtimisht ka thënë se nuk mund të flasë për shkak të hetimeve. Por, sipas tij, në Spital është bërë vlerësimi për këtë rast dhe ka përfunduar. Në kohën kur viktima ishte trajtuar, Spitali kishte terapi vitale dhe urgjente për ta trajtuar atë dhe gjithashtu kishte personel të mjaftueshëm për ta trajtuar, por që, sipas Dreshajt, mbetet të qartësohet gjithçka pas hetimeve.

S.K. disa ditë pasi ishte varrosur si viktima e tetë nga koronavirusi, më 18 prill, u zhvarros për t’iu bërë obduksioni, por deri më tani nuk është bërë i ditur rezultati.

E familja ngriti dyshime se COVID-19 nuk ishte shkaktar i vdekjes së 39-vjeçares.