Drita ka shënuar fitore ndaj Llapit për t’u përforcuar në pozitën e tretë në klasifikimin e Superligës së Kosovës në hendboll për meshkuj, bën të ditur FHK.

Drita të shtunën mbrëma në Gjilan e mposhti Llapin me tri gola dallim, 42:39, në ndeshjen e javës së 12-të të kampionatit të Kosovës. Pas pjesës së parë epërsia ishte nëntë gola në të mirë të gjilanasve, 23:14, transmeton Koha.net.

Drita është e treta me 18 pikë, kurse Llapi mbetet i fundit me dy pikë.

Dritën sërish e udhëhoqi Misimi që shënoi 16 gola, kurse Selmani realizoi 11 herë. Te Llapi u dallua Abazi me 16 gola.

Ndërkohë derbi i kësaj xhiro mes Trepçës e Prishtinës u ndërpre në minutën e 40-të, kur rezultati ishte 25:19 në të mirë të mysafirëve. Pas një dueli erdhi te një konflikt mes lojtarit të Trepçës Lindrit Fetahu dhe atij të Prishtinës, Kreshnik Krasniqi. Fetahu e goditi me kokë Krasniqin, ndërsa më pas u krijua një tollovi ku u përfshinë edhe lojtarë tjerë të të dy ekipeve.

Në fushën e lojës u futën edhe disa shikues të pandërgjegjshëm, por që sipas zyrtarëve të ndeshjes nuk kanë sulmuar ndonjë lojtar apo drejtues të ekipit mysafir. Pas hyrjes së shikuesve në fushë, gjyqtarët e kanë ndërprerë ndeshjen. Ndërkohë janë thyer edhe disa xhama të autobusit të skuadrës së Prishtinës.

Drita – Llapi 42:39 (23:14)

Drita: Buqinca, Sylejmani, Misimi 16, Ramadani 1, Mehmeti 2, Syla 4, Selmani 11, Mustafi 5, Veliu 1, Azizi 2

Llapi: Mani, Y. Visoka 3, Idrizi 6, Bajrami 1, R. Visoka 3, Hasani 6, Abazi 16, E. Havolli, J. Mani 2, Muqiqi