Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, në DESK të KTV-së ka thënë se reciprociteti është parim dhe e drejtë publike ndërkombëtare.
“Ne si diplomatë e ushtrojmë goxha shumë”, ka thënë ai.
Megjithatë, ai ka theksuar se kur është puna tek çështjet tregtare, “është me rëndësi që qasjet pragmatike të jenë pro tregtisë”.
“Dhe përshtypja jonë është që tregtia po zhvillohet dhe kjo shihet edhe prej të dhënave të Doganave të Kosovës, kështu që faktikisht unë nuk po shoh ndonjë problem për momentin”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se i dërguari i posaçëm i BE-së, për dialogun Miroslav Lajçak, “do të mund të kujdesej si një prej masave në dialogun e ndërmjetësuar në këtë fushë”.
“Por, edhe njëherë, vrojtimi im është se mund ta kem gabim, por tregtia po vazhdon në kufi”, ka thënë ai.
Dhe, e rëndnësishme për të, si ka thënë, është “substanca çfarë po ndodh në terren”.
Sa iu përket këtyre zhvillimeve politike, Heldti ka thënë se nuk i kujtohet të ketë ndodhur ndonjë gjë e tillë në Gjermani.
“E dini, ne gjermanët jemi shumë të mërzitshëm. Kemi qeveri shumë stabile dhe, me aq sa mund të kujtohem për këtë, unë kam shërbyer vetëm nën tre kryeministra në tridhjetë vjet shërbimi”, ka thënë ai.






