Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka liruar nga detyra 18 gjyqtarë serbët që kishin dhënë dorëheqje më 2022.
“Pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, sot kam liruar nga detyra 18 gjyqtarë serbë, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022”.
Më 27 gusht Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka kërkuar Haxhiut t’i lirojë nga detyra gjyqtarët dhe stafit mbështetës nga komuniteti serb, të cilët kishin kërkuar kthimin në punë pasi ishin dorëhequr kolektivisht.
Rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë të sistemit të drejtësisë kishin dhënë dorëheqje në fund të nëntorit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Bashkimi Europian shprehu “keqardhje të thellë” për vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës që refuzoi tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit serb.
Pavarësisht thirrjeve të ambasadave të vendeve mike për të mos i bërë trysni KGJK’së për këtë çështje, Haxhiu së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, e kishin shtyrë KGJK’në me deklarata publike që ta bënte këtë propozim.
Njëjtë kanë vepruar më parë edhe me Këshillin Prokurorial.
BE kishte thënë se vendimet për mospranimin e tërheqjeve të dorëheqjeve të prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë bien ndesh edhe me “parimet e një gjyqësori multietnik”, duke “dëmtuar besimin e komunitetit serb të Kosovës dhe duke minuar përpjekjet për një rikthim të qëndrueshëm në institucionet e Kosovës”.






