Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, kanë shkelur vendimet e institucioneve të Kosovës për të mos dalë nga shtëpia përveç kohës së përcaktuar sipas numrit të parafundit të numrit personal.
Në përpjekje për të frenuar përhapjen e pandemisë së COVID-19, e cila ka qenë fatale për 12 qytetarë të Kosovës, institucionet kompetente kanë vendosur masa të reja për lëvizjen e qytetarëve.
Në masat e vendosura më 13 prill, qytetarëve u ndalohet të dalin nga shtëpitë përveç 90-minutëshit, gjatë të cilit ata mund të dalin vetëm për furnizim me produkte ushqimore apo edhe për të kryer pagesa të ndryshme.
Për shkelje të këtyre masave, Policia e Kosovës po ndalon çdo ditë me dhjetëra qytetarë.
Gjatë ditës së djeshme Policia ka ndaluar 34 qytetarë.
Por, ky vendim duket se nuk vlen për presidentin Thaçi dhe deputetin Hoxhaj.
Ata sot janë shëtitur shpatijeve të malit Sharr.
Kështu, së paku, ka lënë të kuptohet deputeti i PDK-së, i cili në profilin e tij në Facebook ka publikuar një foto me presidentin Thaçi.
“Me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, sot shijuam pranverën magjepsëse në malet e Sharrit. Miqësia e vërtetë, distanca e duhur”, ka shkruar Hoxhaj në ‘Facebook’.