Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, profesori Enver Hasani, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka komentuar letrën e fundit të presidentit Hashim Thaçi drejtuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes së cilës presidenti e njofton Kurtin se nuk e ka shfrytëzuar të drejtën kushtetuese për formimin e qeverisë. Por, Hasani ka thënë se presidenti ka ndërmarrë veprim jokushtetues, duke thënë se “të drejtat kushtetuese nuk mund të nënkuptohen se janë braktisur nga titullari dhe nuk mund të paragjykohet veprimi i titullarit, në këtë rast fituesit të zgjedhjeve sepse është jokushtetuese”.
Radio Evropa e Lirë: Profesor Hasani, si e shihni ju afatin kushtetues për partinë fituese të zgjedhjeve për propozimin e mandatarit për formimin e qeverisë, duke iu referuar edhe letrës së fundit të presidentit Hashim Thaçi ku thuhet se partia fituese nuk e shfrytëzoi të drejtën e vet?
Enver Hasani: Në Kushtetutën tonë nuk ka një afat të tillë, por më lejoni të them se një afat të tillë nuk e kanë edhe shumica e kushtetutave që janë demokraci kushtetuese parlamentare sepse supozohet që vullneti politik gjithmonë, përmes kompromiseve dhe kështu me radhë, arrihet deri të një fillim i një procedure. Në këtë drejtim, do të thotë, Kosova nuk është vetëm sepse ky standard ekziston edhe në kushtetuta tjera, pra që cakton një afat, sepse nuk mund të diktohet përmes afateve se kur nis sepse supozohet që afatet rrjedhin përmes vullnetit politik të akterëve politikë në një shtet.
Radio Evropa e Lirë: Po veprimin e sotëm të presidentit Thaçi, si e shihni atë?
Enver Hasani: Kjo që ka bërë presidenti, kjo nënkupton që presidenti ka bërë gabim sepse e ka marrë si të mirëqenë dhe e ka paragjykuar mendimin e Lëvizjes Vetëvendosje, duke e imagjinuar një afat që nuk ekziston dhe duke thënë se meqenëse nuk po dorëzon emër, në një fat që nuk ekziston, atëherë për pasojë ti e ke humbur, e ke braktisur të drejtën tënde kushtetuese. Kjo nuk shkon kështu sepse presidenti nuk mund të caktojë afate kushtetuese dhe presidenti nuk mund të paragjykojë dhe detyrojë forcërisht braktisjen e garancioneve kushtetuese që i ka fituesi i zgjedhjeve.
Radio Evropa e Lirë: Atëherë a është e pritshme që Vetëvendosje t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për aktgjykim?
Enver Hasani: Tash nuk e di unë nëse ajo (Vetëvendosje) do ta shfrytëzojë apo jo, kjo është çështje e procesit politik, por krejt logjike është që kjo punë të përfundojë në Gjykatë Kushtetuese.
Radio Evropa e Lirë: Po nismën e presidentit që të fillojë me raundin e dytë të bisedimeve me liderët politikë e shihni të bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014?
Enver Hasani: Unë e pash letrën e presidentit Thaçi dhe ai po thirret në Kushtetutë dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, ndërkohë që veprimet janë krejt të mbrapshta si për atë që ka bërë sot, ashtu edhe me letrat tjera.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 kërkon një procedurë që është jashtëzakonisht e qartë si loti, sepse aty kërkohet që në raundin e parë, kurdo qoftë, përcaktohet se si duhet të formohet një qeveri brenda një cikli zgjedhor dhe se procedurat janë të njëjta dhe s’ka asnjë dallim. Që do të thotë, në raundin e parë presidenti ka zero diskrecion dhe ai vetëm duhet të shikojë se si vet të formohet vullneti politik në mes forcave politike. Çdo letër që ka dërguar deri më tani, jo vetëm tash, por edhe ato pas zgjedhjeve të 6 tetorit, kur është formuar Qeveria Kurti, kanë qenë paragjykuese sepse nuk i takon presidentit të Republikës që në mënyrë arbitrare të ndaj apo të bëjë presion për dhënien ose marrjen e mandateve.
Ky e ka nis herën e dytë, që ka qenë edhe më mbrapsht, ka nis konsultimet me partitë tjera, siç e ka thënë edhe në letrat e tij, ndërkohë që paralel me këtë në Vetëvendosje ka dërguar sa për sy e faqe, duke besuar gabimisht se po plotëson kushtin kushtetues që t’i drejtohet fituesit të zgjedhjeve.
Procedura e rregullt është kjo – i drejtohesh dhe e ezauron deri në fund me fituesin e zgjedhjeve dhe ajo (partia fituese) duhet që në mënyrë pa ekuivoke, pa dykuptimësi, ta bëjë me dije nëse do ta shfrytëzon të drejtën e vet ose jo, pa paragjykime. Të drejtat kushtetuese nuk mund të nënkuptohen se janë braktisur nga titullari dhe nuk mund të paragjykohet veprimi i titullarit, në këtë rast fituesit të zgjedhjeve sepse është jokushtetuese. Me këto veprime presidenti ka bërë dirigjimin e formësimit të vullnetit politik dhe po synon komandimin e atij vullneti politik në mënyrë jo të rregullt dhe jokushtetuese.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë një takimi në fillim të muajit mars.
Radio Evropa e Lirë: Po si të veprohet në rastin kur partia fituese nuk e shfrytëzon të drejtën e vet për propozimin e mandatarit?
Enver Hasani: Unë nuk e di se çfarë kanë në kokë lideri i Vetëvendosjes dhe të tjerët, por ata me letrat që i kanë bërë publike nuk po thonë se nuk do ta dërgojnë (emrin e mandatarit). Ata po thonë se do ta dërgojë dhe do ta informojnë në mënyrë përkatëse presidentin e Republikës dhe do t’i ndjekin procedurat. Në bazë të asaj që është thënë, nuk mund të nxirret se Vetëvendosje nuk dëshiron ta shfrytëzojë këtë të drejtë. Gjykata merret me këtë çështje dhe jo me atë se çfarë ka brenda, çfarë ka në kokë, sepse ato janë procese, çështje politike që nuk gjykohen.