Një rast jo fort i zakontë ka ndodhur dje në Lubizhdë të Prizrenit, ku pronari i një shtëpie raportoi në Polici se hajnat ia kanë vjedhur një shumë të të hollave prej 5 mijë euro para dy ditësh. Pas disa orësh, atij iu kujtua se ku i kishte lënë paratë dhe nuk kishte të bënte me vjedhje, raporton Gazeta Sinjali.

Siç kanë bërë të ditur burimet nga Prokuroria, pronari 68-vjeçar fillimisht njoftoi Policinë se hajnat kanë depërtuar me forcë në shtëpinë e tij, prej ku ia kanë marrë paratë dhe kanë ikur. Si rezultat i denoncimit, Policia u aktivizua për të zbuluar rrethanat se si kishte ndodhur ngjarja.

Pa u bërë disa orë nga raportimi, prizrenasi u paraqit sërish në Polici, por këtë herë për t’i njoftuar se e ka zbuluar se hajnat nuk i kishin hyrë në shtëpi. Ai dha sërish deklaratë për paratë që denoncoi se i janë vjedhur, duke thënë se s’ka të bëjë me vjedhje, por me harresën e tij, kjo pasi që kishte harruar se ku i ka fshehur të hollat.

Pas zhvillimeve të fundit në lidhje me rastin, Sinjali mëson se Prokurori i Shtetit ka dhënë urdhër që rasti të mbyllet.