Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në ditën e Evropës, u ka bërë thirrje shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe institucioneve të BE-së, që të njohin dhe pranojnë të arriturat e Kosovës dhe të mos vazhdojnë të mbajnë qytetarët e Kosovës edhe më tutje padrejtësisht të izoluar nga familja që i takojnë.
Haradinaj ka shkruar në Facebook se Kosova shënon Ditën e Evropës sot, sepse jemi pjesë gjeografike, ideologjike, dhe identitare e familjes europiane, ndër shekuj.
“Qytetarët dhe institucionet e Kosovës sot kanë aspiratë të vetme integrimin e plotë në Bashkimin Europian, për të kontribuar në prosperitetin, paqen, sigurinë, dhe drejtësinë e kontinentit tonë. Më shumë Europë në Ballkan do të thotë më shumë mundësi, rritje, shkëmbim e zhvillim. Në shënimin e Ditës së Evropës këtë vit, Kosova zotohet fuqishëm për të vazhduar përkushtimin e pandalshëm për integrim në BE dhe për mbrojtje të vlerave demokratike të cilat na bashkojnë. Po sot, i bëjmë thirrje shteteve anëtare të Bashkimit Europian dhe institucioneve të BE-së, që të njohin dhe pranojnë të arriturat e Kosovës, dhe të mos vazhdojnë të mbajnë qytetarët e Kosovës edhe më tutje padrejtësisht të izoluar nga familja që i takojnë. Urime Europë – Kosova është e jotja”, ka shkruar ai.