Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se Serbia duhet ta njohë Pavarësinë e Kosovës për ta çliruar veten dhe për të ecur përpara.

Ai këto komente i ka bërë në shënimin e 19-vjetorit të themelimit të AAK-së, duke i bërë thirrje Serbisë që të kërkojë falje për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, njofton Klan Kosova.

“Ne e dimë se në Kosovë kemi shumë sfida, por ne do të përballemi me këto sfida duke besuar në Zot dhe duke besuar në atdhe”.

“Mua më ka falur Zoti në Gllogjan dhe me këtë dua të them se më ka falur Zoti në Europë. Por edhe Europa duhet ta kuptojë se ne jemi pjesë e saj”.

“Është gabim që Serbia mundohet që t’i ikë përgjegjësisë për atë që ka ndodhur në Kosovë. Është më mirë për Serbinë që t’i kërkojë falje Kosovës për krimet e kryera gjatë viteve 1998-99 dhe ta vazhdojë jetën përpara”.

“Prandaj i bëj thirrje popullit serb dhe udhëheqësve të tyre që ta njohin Pavarësinë e Kosovës dhe atë se çfarë ka ndodhur gjatë luftës 1998-99 sepse në këtë mënyrë ata e çlirojnë veten e tyre”.