Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë sot në Kuvend se nuk është në dijeni se Presidenti Hashim Thaci dhe homologu i tij serb, Aleksander Vuciq, kanë pasur takime të fshehta ku është diskutuar ndarja e Kosovës.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se i është përmendur edhe atij ndarja e Kosovës nga “vendimmarrësit”, ndërsa ka thënë se është interesuar që ta pyes presidentin Thaçi lidhur me bisedimet me Serbinë.

“Jam interesu për agjendën e dialogut me e kuptu përmbajtjen. Nuk kam dijeni se ka pasur biseda për ndarje”, ka thënë Haradinaj.

“Më është përmend ndarja edhe mu edhe tjerëve prej vendimmarrësve. Por ma shumë si ide që mund të burojë nga Serbia. Kështu na është thënë. Po i dëgjojmë prej andej edhe cka mendoni”, ka shtuar kryeministri Haradinaj.

Megjithatë Kryeministri ka treguar se ai nuk ka ndryshuar qëndrim dhe është kundër një ideje të ndarjes apo shkëmbimit të territorit.