Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje janë vetëm për def, pasi sipas tij, s’kanë mbetur për punë tjetër.
Ai deklaroi në Kuvend se kryeministri Albin Kurti është dashur t’u kërkojë falje qytetarëve kur s’ka arritur ta zbresë çmimin e energjisë elektrike.
“Atë ditë që s’ka mundur ta zbresë çmimin, është dashur të kërkojë falje, e t’i dërgojë në shtëpi ministrat, ose të shkojë vetë në shtëpi. Na trego pse e ke mbyllur kufirin me vëllezërit tanë në Shqipëri. Ku e ke problemin që s’po mundet kuksiani të shkojë në Prizren. Kur dështon një qëllim, i kërkon llogari dikujt”, deklaroi ai.
Ish-kryeministri Haradinaj tha se sa ishte në këtë post ia kishte refuzuar ZRRE-së kërkesën për shtrenjtim të faturës së energjisë elektrike.
“A si keni ditur atëherë lopata e bojlera a? I ke ditur kur e refuzuar Kosovën e Re, gazin amerikan. Më ka dërguar edhe mua kërkesë ZRRE-ja për rritje të çmimit , i kam thënë jo, gjeni punë të tjera. Fajin po ua gjuan qytetarëve, s’ke asnjë problem. I ke disa deputetë vetëm për def se s’kanë mbetur për punë tjetër”, tha tutje ai.






