Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në takim me drejtoreshën e Rrjetit Demokratik të Grave, Valerie Dowling, kanë biseduar rreth përfaqësimit të grave në politikë në Kosovë dhe mekanizmat e përkrahjes.
Sipas njoftimit për media, kryeministri Haradinaj, duke folur për prioritetet e Qeverisë, tha se njëra ndër to është edhe roli i grave në vendimmarrje, ku theksoi po ashtu se edhe Kushtetuta e Kosovës garanton gjerësisht barazinë gjinore për burrat dhe gratë, duke konsideruar mundësitë e barabarta dhe pjesëmarrjen e barabartë të grave dhe burrave si e drejtë themelore.
“Qeveria ka ndërmarrë një sërë vendimesh që u siguron grave trajtim të barabartë, mundësi të barabarta për të gjetur një punë, si dhe zhvillim të bizneseve private, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo politike. Kemi avancuar në këtë drejtim, por ka ende punë për të bërë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Në njoftim thuhet se kryeministri Haradinaj, theksoi se përfaqësimi i grave në këtë rrjet dhe mundësia qe u jepet në këmbimin e përvojave, avancimin e njohurive dhe fuqizimin e vendimmarrjes janë mundësi e mirë për vendin dhe se mbështetja e Qeverisë për programe të tilla nuk do të mungojë.
Ndër tjerash kryeministri Haradinaj si tejet inkurajuese e ka përmendur edhe regjistrimin e pronës së paluajtshme në emër të dy bashkëshortëve.
Sipas komunikatës, drejtoresha e Rrjetit Demokratik të Grave, Valerie Dowling, ka shprehur angazhimin e saj për të ndihmuar Kosovën në procese të tilla.