Akademia Përkujtimore në nder të 21 vjetorit të rënies së Ilir Konushevcit dhe Hazir Malajt filloi me një minutë heshtje.
Kjo akademi është organizuar nën patronatin e kryeministrit Ramush Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj në fjalën e tij në këtë akademi ka vlerësuar lart figurën e heroit Ilir Konushevci.
“Ilir Konushevci ishte ndër luftëtarët shumë të rinj. Si i ri ishte në njësitë e para në veprimet e para me themeluesit e UÇK-së – bëhet fjalë për brezin e parë të luftëtarëve që i vendosin themelet e luftës për liri”.
“Iliri e la zonën e vet të luftës me ushtarët, rrethin, Llapin dhe Prishtinën që i njihte mirë për të siguruar furnizim për ushtarët nga Shqipëria”.
Shefi i Qeverisë ka thënë se Ilir Konushevci ra dëshmor derisa po kalonte kufirin për të sjellë armatim përtej kufirit.
“Në mesin e gjithë atyre ushtarëve që rrezikuan çdo gjë që kishin për të kaluar barriera dhe sfida të ndryshme ndërkufitare për të siguruar armë dhe armatim për shokët e luftës, mes tyre ishte edhe Iliri i cili ra në këtë detyrë duke u përballë me armikun tek po kalonte kufirin për të sjellë armatim këtej kufirit”.
Ai ka vlerësuar po ashtu lart edhe figurën e Hazir Malajt.
“Ne kishim nevojë për njerëz të besueshëm që nuk i lëkund asgjë. Për punën e bartjes së këtij armatimi dhe sigurimin e tij ishte familja e Hazir Malajt që hapi dyert për të marrë një përgjegjësi të tillë duke i rrezikuar të gjithë anëtarët e familjes për të ofruar strehë dhe siguri për këto armatime”.
Haradinaj ka deklaruar se secili brez i ka heronjtë e vet, por brezi i UÇK-së i ka pasë heronjtë e pazëvendësueshëm siç ishin Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj.