Foto ilustrim
Lokale - eSIMy

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu e ka pësuar edhe familja Zeka në Studime të Ulët të Vushtrrisë, ku hajnat kanë vjedhur para e gjësende në vlerë prej mijëra euro, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se pronari e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka raportuar se hajnat kanë vjedhur mbi 6 mijë euro, para të gatshme dhe stoli të arit, që i kanë gjetur në dhomat e shtëpisë.

Sipas deklaratës së tij, të dhënë para hetuesve policorë me rastin e raportimit të rastit, kuptohet se të dyshuarit kanë depërtuar brenda me forcë, ku kanë demoluar shtëpinë dhe më pas kanë kryer vjedhjen.

Pas raportimit të vjedhjes, njësitë policore iu janë përgjigjur rastit dhe është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit është iniciuar rasti si “vjedhje e rëndë” dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.