Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se serbët në Kosovë do të jenë unikë në veprimet e tyre ndaj krijimit të qeverisë së re të Kosovës dhe se Lista Serbe do të vazhdojë ta ketë besimin e plotë të Qeverisë serbe në këtë proces.

“Ne zhvillojmë konsulta të përditshme dhe të vazhdueshme me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe Qeveria e Serbisë ka besim të plotë tek ata dhe se në ditët e ardhshme ata do të jenë një bastion i mbrojtjes së interesave serbe në ‘Kosovë dhe Metohi’”, ka porositur Gjuriq, përmes një video-mesazhi, përcjell Telegrafi.

“Jemi të sigurt që në bisedimet me përfaqësuesit e partive të tjera në ‘krahinën’ tonë jugore, ata do të identifikojnë problemet me rëndësi për popullin tonë në ‘Kosovë dhe Metohi’, dhe se në këto bisedime ata do të insistojnë në mënyrë të vendosur në mbrojtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare serbe dhe në zbatimin e të gjithë asaj që në periudhën e mëparshme nuk u zbatua, e që u mor si një obligim në dialog”, tha Gjuriq.

Sipas tij, Qeveria e Serbisë ka besim të plotë se Lista Serbe do të japë kontribut konkret, të dukshëm e të prekshëm dhe menjëherë të matshme në avancimin e pozitës së popullit serb në Kosovë.

Ai theksoi se për një politikë të tillë Lista Serbe do të vazhdojë të marrë mbështetje të plotë nga Serbia.

“Askush le të mos llogarisë se Listën Serbe ose popullin serb në ‘Kosovë e Metohi’ mund ta ndajë ose ta trajtojë si dekor dhe folklor. Ato kohë kanë kaluar, por përpara nesh janë kohërat e bashkëpunimit të barabartë dhe respektimit të interesave të popullit serb në ‘Kosovë dhe Metohi’”, tha Gjuriq.