Ditën e djeshme, e mërkurë, në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, ka zbritur një kontingjent me persona të riatdhesuar nga Dyseldorfi i Gjermanisë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Roksana Qarri, ka thënë se ky kontingjent ka arritur në orët e pasdites, përkatësisht ora 16:05 minuta në Kosovë.

Ajo ka thënë se kthime të emigrantëve do të ketë edhe në ditët në vijim.

“Ne kemi kontakte të vazhdueshme me autoritetet gjermane në fushën e migrimit si dhe me të gjitha shtetet tjera me të cilat kemi marrëveshje për ri pranim. Ri pranimi është duke vazhduar dhe kemi njoftime për arritje te aeroplanëve tjerë me te kthyer ne ditët dhe javët ne vijim”, ka theksuar Qarri për Indeksonline.

Ajo ka thënë se për ri pranimin e qytetarëve të Kosovës, në Gjermani, të cilët nuk i plotësojnë kushtet e qëndrimit, ekziston marrëveshja mes Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe autoriteteve gjermane.

“Ju njoftoj se ne kemi marrëveshje me Gjermaninë për ri pranimin e qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk i plotësojnë kushtet e qëndrimit atje dhe kthimi bëhet në bazë të kësaj marrëveshje, ku përcaktohen edhe autoritetet të cilat kontaktojnë në mes vete”, ka thënë Qarri për Indeksonline.

Sipas Qarrit, departamentet që kontaktojnë vazhdimisht me autoritetet gjermane nga MPB-ja, janë ai për Shtetësi, Azil dhe Migracion, ndërsa nga pala gjermane, autoritet kontaktues është Ambasada gjermane në Prishtinë, përkatësisht atasheu për migrim./Indeksonline