Lokale - eSIMy

Qeveria gjermane të martën ka bërë të ditur se pensionistëve gjermanë do t’u rriten pensionet këtë vit, për shkak të rritjes në masë të madhë të inflacionit, raporton Associated Press.

Ministria gjermane e Punës ka deklaruar se pensionet do të rriten për 5.35% në ish-Gjermaninë Perëndimore nga 1 korriku, ndërkaq për 6.12% në ish-Gjermaninë Lindore. Vitin e kaluar nuk ka pasur rritje në Perëndim, ndërkaq në Lindje është shënuar një rritje prej 0.72%, për shkak të goditjes së ekonomisë nga pandemia me COVID-19.

“Për shkak se ne arritëm ta mbajmë tregun e punës të qëndrueshëm në krizën me koronavirus, financimi i sistemit të pensioneve është në gjendje të mirë dhe rritja e madhe është e mundur”, u shpreh ministri i Punës, Hubertus Heil.

Gjithashtu tha se 21 milionë pensionistë gjermanë, të cilët kanë kontribuuar në Gjermani duke punuar gjatë gjithë jetës së tyre, do të përfitojnë nga ky vendim.

Rritja e pensioneve gjermnane ka të bëjë në përgjithësi me zhvillimet e pagave.