Lokale - eSIMy

Gazetarja e Periskopit, Artinë Muçiqi sot ka fituar çmimin e Gazetarisë për Fuqizimin e Grave, të ndarë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Muçiqi teksa ka pranuar çmimin, sot gjatë ceremonisë së organizuar me rastin e 3 majit- Ditës së Lirisë së Shtypit ka treguar për punën që është bërë në artikullin e publikuar në revistën Kosovo 2.0, me titull ‘’JETË DHE VDEKJE: REALITETI I VRAZHDË I SHTATZANISË NË KOSOVË’’.

‘’Ky çmim është shumë i rëndësishëm për mua sepse jepet për fuqizimin e grave në Kosovë. Sidomos bëhet fjalë për një artikull jetë dhe vdekje nga realiteti i vrazhdë i shtatzanisë në Kosovë, i cili është publikuar në revistën Kosovo 2.0. Ka qenë një punë 6 mujore për realizimin e këtij artikulli. Pra s’kanë qenë 6 orë, 6 ditë, 6 javë, por kanë qenë 6 muaj punë intensive .’’

Ajo tregon për rrëfimet e ndjeshme të grave të komunitetit pakicë, që e kishin pësuar për shkak të diskriminimit dhe mos kujdesit të duhur shëndetësor në Kosovë.

‘’Në artikull kanë qenë të përfshira tri rrëfime që kanë qenë goxha të rënda. Njëra prej tyre e ka humbur edhe foshnjën në muajin e fundit të shtatzanisë për shkak të hipertensionit pasi nuk ka pasë kushte të mjaftueshme për një trajtim të duhur mjekësor. Përgjatë 6 muajve, ka pasë punë me 20 gra të komunitetit pakicë, ku për së afërmi kemi dëgjuar rrëfimet e tyre vërtetë prekëse’’, tha Muçiqi.

Tutje ajo inkurajon të gjithë gazetarët që të merren sa më shumë me tema të tilla për gratë.

‘’Shpresojmë që përmes publikimit të këtyre artikujve dhe trajtimit të çështjeve të tilla në mënyrë sa më rrënjësore, kemi me diku në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve për to dhe kisha inkuraju të gjithë gazetarët që sa më shumë të trajtojnë tema për gratë, sepse vetëm në këtë mënyrë ne mund të arrijmë barazinë gjinore për të gjithë’’.

Çmimi është dhënë nga AGK së bashku me partnerët OSBE, UNKT dhe UN Ëomen.

Në këtë artikull janë trajtuar të drejtat e grave të komuniteteve pakicë në Kosovë [Rom, Ashkali dhe Egjiptian], përkatësisht në fushën sociale dhe atë të shëndetësisë. Kur një grua 21 vjeçare e komunitetit rom nuk mund ta përballonte financiarisht trajtimin e specializuar mjekësor gjatë shtatzënisë, atë e çuan në shtëpi pa u trajtuar. Por shumë shpejt, fëmiu i saj i palindur vdiq në mitrën e saj. Gratë e komuniteteve pakicë shpeshherë kanë mungesë të qasjes kritike në shëndetësi dhe mjekësi para lindjes në Kosovë, për shkak të fondeve të pamjaftueshme, por edhe për shkak të diskriminimit me bazë etnike. Në artikull analizohet atë se çfarë po bëhet dhe nuk po bëhet për ta adresuar këtë çështje.