Gazetarja e televizionit të KTV- së, Arta Avdiu, ka reaguar ndaj, siç e ka quajtur ajo, shefit të komunës së Podujevës, Agim Veliu lidhur me debatin e mbrëmshëm që u realizua në Interaktiv të KTV- së, njofton Llapi.info.
Moderatorja e emisionit në të cilin kishte ftuar dy kandidatët për kryetar të Komunës së Podujevës, ka reaguar ndaj deklaratave të kandidatit të LDK- së Agim Veliu i cili në emision të drejtpërdrejtë akuzoi gazetaren se është duke i bërë pyetje të porositura.
E për këtë Avdiu përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se është mëkat sesi shumica e personave të cilët janë të futur në politikë nuk ia kanë idenë se si duket gazetaria e pavarur.
“Nga gazetarja e së premtes që ia mbante anën LDK- së (kjo sipas pikëpamjes së verbër të një shefe shtabi të PDK- së), sonte përfundova me akuza e fyerje për pyetje të “porositura” (sipas pikëpamjes së një shefi komune të LDK- së). Mëkat që ende shumica në politikë nuk ia kanë idenë se si duket gazetaria e pavarur! #KTV”, ka shkruar ajo.
Ditë më parë Avdiu është akuzuar edhe nga deputetja e PDK- së, Xhevahire Izmaku për mos profesionalizëm dhe anime politike teksa ajo po i bënte pyetje kandidatit të PDK- së për kryetar të Komunës së Vushtrrisë.
Lidhur me këto akuza, AGK përmes një kumtese për medie kishte reaguar ndaj deputetes së PDK- së dhe përfaqësuesve tjerë politikë “se gazetarët kanë të drejtë të bëjnë çfarëdolloj pyetjesh nëse ata konsiderojnë se janë në interes të opinionin publik” duke kërkuar nga politikanët “që të zgjedhin forma profesionale të shprehjes së kundërshtimit të tyre në raport me punën e mediave dhe gazetarëve”./Llapi.info