Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i ka “zgjatur” dorën e pajtimin Lëvizjes Vetëvendosje, siç tha për të ndërtuar perspektivën e Kosovës.
Në interpelancën plenare për largimin e reciprocitetit, të thirrur nga Vetëvendosje, Gashi kërkoi konsensus për çështjet madhore të vendit.
“Shokë e shoqe të Lëvizjes Vetëvendosje ejani të ndërtojmë perspektivën e Kosovës, jo nga logon e partive, por nga institucionet përfaqësuese. Nga Kuvendi i Kosovës duke ndërtuar konsensusin, qoftë edhe pas ditë të tërave të përplasjeve të ideve, por jo të interesave”, tha ai.
Krahas kësaj, deputeti i pushtetit i bëri lutje dy partive opozitare, t’iu bashkohen në dialogun me Serbinë.
“Thirrja ime për ju sot, lutja jonë është hajdeni të përfaqësojmë Kosovën me dinjitet, hajdeni të drejtojmë bisedimet me integritet”, tha ai.