Lokale - eSIMy

Instituti për studime të avancuara, GAP, ka publikuar premtimet që i kanë bërë kryetarët e Komunave të Kosovës, shkruan Llapi.info.

Në këto publikime, GAP ka thënë se kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, gjatë fushatës së fundit zgjedhore, pati bërë gjithsej 61 premtime elektorale.

Nga të gjitha këto, Bulliqi më së shumti është fokusuar në fushën e arsimit, duke bërë gjithsej 14 premtime, pasur me Shëndetësi dhe Shërbime Publike.

Ai në fushën arsimit ka premtuar; Digjitalizimi i sistemit arsimor (pajisjen e klasave me projektor, Internet në çdo shkollë, krijimi i ditarit elektronik), Krijimi i Kabineteve të informatikës në çdo shkollë, Ndërtimi i një objekti të ri për shkollë fillore në qytet, Ndërtimi i një objekti të ri për shkollë të mesme profesionale në qytet. Ndërtimi i shkollave në fshatin Obrançë, Dumosh dhe Llugë. Ndërtimi i dy sallave të edukatës fizike. Punë praktike për nxënësit e shkollave profesionale. Shujta për nxënësit nga klasa e I-rë deri në klasën e V-të. Rritja e buxhetit për bursa në 100 mijë euro. Psikolog për çdo shkollë. Rritje të klasave për fëmijët parashkollor. Hapja e katër çerdhe të reja.

Në shëndetësi, i pari Podujevës ka bërë gjithsej 7 premtime, Shërbime Publike (9), Sociale (1), Sport (4), Kulturë (7), Infrastrukturë (5), Ekonomi (6), Bujqësi (5) dhe Administratë (3).

Administratë: Digjitalizimi i plotë i shërbimeve administrative. Dërgimi i dokumenteve përmes postës, aplikimi do të bëhet në mënyrë digjitale dhe funksionalizimi i këshillave të fshatrave.

Bujqësi: Dy milionë euro do të ndahen gjatë mandatit subvencione nga buxheti komunal për bujqit. Ndërtimi i sistemit të ujitjes së tokave bujqësore në luginën e lumit Llap. Bashkëpunim me donator dhe organizata ndërkombëtare në mbështetje të sektorit të bujqësisë. Krijimi i një platforme të tregut online për shitje të produkteve bujqësore dhe pyllëzimi i sipërfaqeve pyjore.

Ekonomi: Ndërtimi i zonës industriale në periferi të qytetit, me një sipërfaqe prej 37.2 hektar. Krijimi i fondit për mbështetje të prodhuesve vendor. Krijimi i inkubatorit të bizneseve. Grante për themelimin e bizneseve nga të rinjtë dhe gratë. Investime në mbështetje të turizmit malor dhe subvencionimi i gjysmës se interesit për kreditë investuese të bizneseve prodhuese.

Infrastrukturë: Ndërtimi i rrugës “Skënderbeu” dhe “Xhemajl Mustafa”. Ndërtimi i rrugës përgjatë lumit Llap, deri tek magjistralja Besianë-Prishtinë. Ndërtimi i unazës së qytetit.  Asfaltimi i të gjitha rrugëve në fshatra dhe rregullimi i hapësirave publike në brezin e lumit Llap.

Kulturë: Ndërtimi i shtëpisë së kulturës.  Funksionalizimi i galerisë dhe atelies për artistët. Arti në hapësira publike. Funksionalizimi i kinemasë së qytetit.  Krijimi i muzeut të qytetit. Subvencionimi i aktiviteteve kulturore dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore.

Shëndetësi: Ndërtimi i mjekësisë urgjente në periferi të qytetit (afër ish- Hotel Besianës). Digjitalizimi i qendrave të mjekësisë familjare. Qendrat e Mjekësisë Familjare do të furnizohen me të gjitha barnat e nevojshme dhe materialet e tjera për funksionim normal të tyre. Kontrollim sistematik për nxënësit.  Zhvillimi i shërbimit paliativ shëndetësor (të gjithë pacientët që nuk kanë mundësi të lëvizin për shkak të problemeve shëndetësore, shërbimi mjekësor primar do ju ofrohet në shtëpi). Funksionalizimi i hemodializës në QKMF dhe dyfishim i fondeve për mbështetje financiare, për pacientë me sëmundje kronike.

Shërbime Publike: Mbjedhja e 20 mijë drunj në qytet. Furnizimi me ujë të pijshëm për çdo fshat dhe lagje të qytetit. Rregullim të qarkullimit brenda qytetit përmes planit të mobilitetit. Ndërtimi i shtigjeve të biçikletave. Ndërtimi i stacionit të autobusëve. Ndërtimi i një parkingu nëntokësor. Rregullimi i parkut të paqes. Ndriçim publik në lagje të qytetit dhe në fshatra dhe themelimi i ndërmarrjes publike që do kryej funksionin e shërbimeve publike si mirëmbajtja e objekteve banesore, pastrimi i qytetit, mirëmbajtja e varrezave, mirëmbajtja e parqeve, parkingjeve publike.

Sociale: Ndërtimi i qendrës për qëndrim ditor për persona të moshuar.

Sport: Ndërtimi i palestrës sportive të qytetit. Ndërtimi i terreneve sportive në lagje të qytetit dhe në fshatra. Subvencionimi i klubeve sportive dhe krijimi i ligave sportive në shkolla dhe lidhja me klubet sportive në identifikimin e talenteve të ri nëpër shkolla.

Duhet shtuar se nga këto premtime, Bulliqi i ka nisur së realizuari disa prej tyre. Po ashtu, gjatë fushatës zgjedhore Bulliqi së bashku me kryeministrin Kurti patën premtuar se gjatë vitit 2022 do të kryhen punimet në rrugën Prishtinë – Podujevë./Llapi.info