Fshati Brus, i cili gjendet në zonën më të thellë të komunës së Lipjanit ka një karakteristikë shumë interesante. Të gjithë banorët kanë mbiemrin Gashi, dhe kanë dy fe, islamin dhe krishtërizmin.
Fshati është ngritur prej tre vëllezërve të cilët kanë përqafuar besime të ndryshme. Në mes të fshatit janë varrezat në të cilat deri para 10 vjetësh janë varrosur së bashku katolikë e myslimanë, ndërsa kohët e fundit ato janë të ndara
Edhe pse u takojnë dy feve, toleranca ndërfetare është në maksimum.
Prodhimi i thëngjillit dhe shitja e tij është profesioni i vetëm i shumicës së banorëve të Brusit. Në këtë fshat ka 30 furra të posaçme në të cilat drurët digjen duke u shndërruar në thëngjill për skarë.
Banorët aty, jetojnë brenda një shtëpie, e kanë të njëjtin gjak, por ajo që i dallon është besimi. Njëri vëlla është i krishter, e tjetri mysliman.
Por, pavarësisht kësaj, kjo familje jeton në harmoni sikur më parë.
Toleranca fetare mes tyre shkon deri aty, saqë edhe pse u përkasin besimeve të ndryshme, ata gjatë festave shkojnë së bashku në kishë dhe xhami.
Kjo është jeta që bëjnë tash e sa kohë banorët e fshatit Brus të Komunës së Lipjanit, fshat i cili njihet për tolerancë ndër fetare.
E ardhur kohë më parë nga Llapushniku i Drenasit, familja Gashi i takonte fesë islame. Të gjithë anëtarët e kësaj familje kishin këtë besimin.
Por, pasi ndërruan vendbanimin e u shpërngulën në fshatin Brus të Lipjanit, disa prej anëtarëve të kësaj familje vendosën që ta lënë fenë islame, e ta pranojnë atë katolike.
Shumica e familjeve në këtë fshat u përkasin besimeve të ndryshme.
Kryefamiljari i familjes Gashi, i cili nuk ka dashur t’i përmendet emri, thotë për Express se ndërrimi i fesë nuk ishte pengesë për ta. Ai tregon se vazhdojnë të festojnë festat e të dy feve së bashku e në harmoni.
“Kjo ka ardhur si shkak i martesave, disa janë martuar me myslimanë, disa me katolikë. Ata e vazhdojnë fenë e vet si myslimanë, ne si katolikë. Nuk ndikon feja tek ne”, shprehet ai.
Deklaron se edhe pse i përkasin dy feve të ndryshme, ata vazhdojnë të jenë vëllezër, dhe se martesat ndër fetare për ta janë normale.
Ai, thotë se asnjëherë nuk ka pasur ndonjë problem mes këtyre familjeve.
Por, fshati që tash e sa kohë njihet për tolerancën ndër fatare po boshatiset dita-ditës.
Tash e sa kohë, banorët kanë filluar të shpërngulen në fshatrat përreth. Shtëpitë që dikur ishin plotë tash kanë mbetur të zbrazëta.
Banorët thonë se ata kanë filluar të shpërngulen në fshatrat përreth që të afrohen më afër familjarëve të tyre. Derisa shtojnë se nëse vazhdojnë të largohen banorët me këtë ritëm, fshati do të mbetet i zbrazët.
Ndryshe, fshati Brus gjendet në zonën më të thellë të Komunës së Lipjanit.