Lokale - eSIMy

Përmbledhje nga: Gani Mehmeti

Fshati Gërdovc shtrihet rreth 12 km në jug të Podujevës. Fshati kufizohet me Kaçibegun në veri, po ashtu, në veri, ai lidhet me Dumoshin, pastaj në veriperëndim kufizohet me Batllavën, në juglindje me Dyzin, në jug me Tërnavën dhe në jugperëndim me Bellopojën.

Nëpër këtë fshat kalon lumi i Batllavës. Është i ndarë në lagje që shtrihen të ndara, por afër njëra-tjetrës.

Sipërfaqja e këtij fshati është 580 ha, 69 arë, 57 m2 ose 5.8 km2.

Në dokumentet e shkruara përmendet në defterin kadastral  të Vilajetit Vëllk të vitit 1455 me emrin Gradinca dhe kishte 16 familje[1]. Në defterion e Sanxhakut të Vushtrrisë të vitit 1477 është shënuar me emrin Kradince, nahija e Llapit, ziamet i Hasan Beut me të ardhura 30 akçe. Ndërsa në defterin tjetër të Sanxhakut të Vushtrrisë të vitit 1487 është shënuar si fshat dhe kishte 30 shtëpi, 7 beqarë, 2 çaire, katër prona të trashëguara dhe 2 mullinj[2].

Si vendbanim është i regjistruar në një hartë  gjeografike austriake në bazë të shënimeve të vitit 1689. Më 1896/97 është shënuar me emrin Gridovca[3].

Në të jeton popullsia shqiptare vendase. Në vitin 1878 këtu gjetën strehim  vëllazëritë shqiptare muhaxhire: Ratkocerët, Govorët dhe Raçët, të ikur nga dhuna  e terrori i pushtetit serb  nga Jabllanica dhe Toplica[4].

[1]  Oblast Brankoviqa…., faqe 257.

[2]  Dr. Jusuf Osmani : Vendbanimet e Kosovës, 17, Besiana (Podujeva), faqe 220.

[3]  Dr. Jusuf Osmani, po a     ty.

[4]  Dr. Sabit Uka : Vondosja …, faqe 13.

Në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, këtu u kolonizuan 9 familje  serbe e malazeze në tokat e shqiptarëve të dëbuar e të masakruar. Këta, më vonë, tokën e marrë falas, ua shitën banorëve shqiptarë nga ky vendbanim, madje bukur shtrenjtë.

Në vitin 1921 “Ërrfia” e ushtarisë serbe masakroi dy familje me 25 anëtarë. Janë vrarë edhe disa të tjerë. Edhe në vitin 1944/45 shumë burra të fshatit u masakruan nga ushtria serbe.

Para sulmeve serbe në vitin 1999 ky fshat kishte rreth 171 shtëpi me 1860 banorë shqiptarë. Nga ushtria e policia serbe u dogjën dhe u shkatërruan 84 shtëpi banimi dhe shumë objekte  ndihmëse dhe e konomike. Nga ky fshat janë vrarë 11 banorë civilë, kanë rënë dy dëshmorë dhe dy persona janë të pagjetur – Islam Shabani, punëtor i “Rilindjes” dhe Muharrem Shabani, punëtor në “Amortizer”.

Më 3 prill 1999 popullata u dëbua nga fshati për në Koliq e vende tjera, e nga këtu edhe në Prishtinë e në fshatra të Podujevës dhe për në Maqedoni, kush si e kishte pasur fatin[1].

 

Sipas legjendës Gërdovci është quajtur KOLGEGË, pra nga Kolë-a dhe Gegë-a.= Kolë Gega.s. Komisioni për standardizimin e emrave në Kosovë në vitin 2000 i la emrin Plepas, nisur nga Plepat e mëdhenj të Gërdovcit që i kishte. Por, ndoshta më përshtati do t’i sjhkonte emri Kolgegë, deri sa ka pasur këtë emër më përpara.

 

Bestytnia rreth shqiponjave

Karakteristkë për fshatin Gordovc, nga të gjitha fshatrat tjera të Llapit, është se këtu kanë qëndruar Shqiponjat deri vonë, deri para Luftës së Vitit 1999. Sipas gojëdhënës, që është përcjellë, ky fshat ka qenë gjithmonë me Shqiponja, dhe, asnjëherë nuk kanë qenë me më pak se dy, por jo edhe me më shumë se dy, nga që, vetëm një nuk rrika askund. Ato shtoheshin. Po edhe pse shtoheshin,  të gjitha shkonin dikah tjetër, ndërsa dy rrinin në Gërdovc.

Shqiponjat e Gërdovcit, vendqëndrimin e kanë pasur në plepa të këtij fshati. Sigurisht foletë e tyre i kanë pasur në Plepat e vjetër, por, edhe në mungesë të plepave të vjetër, ato vazhduan qëndrimin e tyre në Plepa të rinj. Deri sa ishin shqiponjat, sa herë që dikush prente një degë të

 

plepave, asaj familje i ndodhte një dëm ose i dilte (ngordhte) ndonjë nga kafshët, ose gjymtohej dikush nga anëtarët e asaj familjeje (thente këmbën, dorën, verbohej apo i ndodhte diçka tjetër). Kjo ka qenë e vërtetë.  Me ndodhjen e Luftës dhe me mungesën e  plepave, më nuk ka as shqiponja këtu në Gërdofc.

Një i Godishnjakut e vret nja Shqiponjë. Gërdovcasit e vrasin të Godishnjakësin dhe gjaku i shkon  për Shqiponjën.

 Derisa ishin Shqiponjat në Gërdovc, kurrë breshër nuk ka rënë në këtë fshat! Sa herë që donte të binte breshër, këto dy Shqiponja çoheshin lart  në qiell e u prinin reve me breshër dikah tjetër e në Gërdovc nuk binte, pra e ruanin nga breshëri fshatin. Kjo, sipas legjendës, thotë se ishte një melaqe e verbër, të cilës, shqiponjat i prinin dikah tjetër, e ajo u printe reve me breshër për dikah tjetër, dhe kështu, retë me breshër largoheshin  nga qielli mbi këtë fshat

Shqiponjat rrinin në Plepin e madh e degëgjërë, por që kur u pre ai plep,  sikur nuk kishin ku të rrinë më, ato kanë humbur dhe janë zhdukur nga Gërdovci.
Është interesant se këtu nuk ka pasur më shumë se dy shqiponja, ndoshta njëri femër e tjetri mashkull. Shtoheshin, por i çonin dikah tjetër.
[1]  Dr. Jusuf Osmani, nga informatori  Ismail Berisha, marrë më 20. 7. 2000 dhe shënimet e dërguara nga administratori i fshatit, në dhjetor 2000, faqe 221.

Shefqet Dibrani, nga Gërdoci, kryetar i deges se LDK, Zvicer ·  Profesioni: Poet, shkrimtar me dhjetëra vepra të botuara, publicist,  Aktivist i shquar i LDK

 

Lagjet e Gërdofcit janë:

Lagjja e Poshtme., në të cilën janë formuar edhe nënlagjet: Osmani, Kosumovitë, Bahovitë,  Eminovitë, janë vendas. Të ardhur janë nga Toplica dhe konsiderohen si nipa (bijash) lagjet: Retkocerët, Raçët dhe Govorët, të ardhur në vitin 1877.

Lagja e Mesme (apo e ndërmjetme), me nënlagjet: Hasanovitë, Hasi(q), Mulovitë.

Lagja e Epërme apo Jakupovitë, me nënlagjet: Rexhovitë, Jasharovitë, Brahovitë, Shabanovitë.

Tre vëllezërit, Jakupi, Hasani e Osmani dhe dy xhaxhallarët e tyre, që njëri ndalet në Gllamnik e tjetri në Keqekollë, kanë ardhur nga Gracka, Stanovci te Vushtrria.

Të gjitha fshatrat tjera kur paguanin haraç (tatim) beut, fshati Gërdofc nuk paguante nga pozita e volitshme që e kishte …

Numri i shtëpive kur ka shkuar Sylë Mavriqja (nuk jemi të njohur se kush ishte ky dhe informatori deri tani, nuk e ka deshifruar këtë)  para 160 vitesh, kishte shtatë shtëpi:  Osmanajt 2 shtëpi, Hasanajt (Hasiqët) 3 shtëpi, Jakupovitë (Jaku) 2 shtëpi.

Ka gjasa që këta tre vëllezër kanë qenë përnga religjioni katolikë dhe të kenë pasur emrat Osa (tani u bë Osmani), Hasi (që u bë Hasani) dhe Jaku, që u bë Jakupi.

Gjatë okupimit turk  Gërdovci është quajtur Misiri i Vogël, fshat me fusha pjellore i cili shtrihet rrëzë  malit në anën lindore; ana perëndimore e veriore me toka pjellore, përmes së cilës përshkon lumi Bërvenika. Kështu quhej edhe nga kaçakët, në kohën e Perandorisë Turke – Misiri i Vogël.

Në vendin e quajtur Seishta gjatë lëvrimit të tokës dalin themele të shtëpive dhe është gjetur një guri me kryq që dëshmohet se këtu ka qenë një vendbanim i vjetër. Flitet për ekzistimin e një pusi (bunari) që ka qenë i murosur me tulla.

Në vendin Qesta e Hanit thuhet se ka qenë një kishë e vjetër parasllave, ndërsa varrezat e krishtera gjenden  në vendin Te Reka e Ahmetit, sipër Arës së Kusit. Nëpër ara, afër rrugës, shpesh dalin gjurmë të materialit ndërtimor, që mund të konstatohet  se ajo pjesë ishte e banuar më herët, pa qenë ne në gjendje të parcaktimit të kohës, se kur.

 

N`Arat e Soishtave. – Dikur janë quajtur Arat e Trojeve. Dëshmohet se kanë qenë në kohën e romakëve.

Më 1928 ka shpërthyer uji nga Quka e Batllavës. Ka qenë ujë i madh. Këtë e kanë mbyllur me lesh të deleve dhe të dhive përzier edhe me gjips. Këtë e kanë mbyllur inxhinerët nga Anglia dhe Franca.


Toponimet më karakteristike të fshatit:

Ara te Hanet

            Arat e Konakut, – ku i kanë mbajtur bagëtinë.

            Arat e Plepit. – Ka qenë një plep, i cili  nuk mbahet mend nga askush, por ai ka qenë dikur.

Bregu i Lajthisë

Bregu i Katunit

Fun Lugu

Guri i Mermerit, – i ardhur nga Toplica. Gur varri me shall.

Kroni i Osoj`s

Kroni i Petrit, – thuhet se ishte katolik.

Livadhi i Madh

Lugu i Lajthisë

            Lugu i Madh.

Lugu i Gatë, – mal

Lugu i Ftojve, mal.

Lugu i Dardhave, mal, po edhe  dardha s’ka

Lugu i Rrushit

            Lugu i Bostonit

            Lugu i Zabelit

Lumi i Bërvenikut. – Është quajtur lumi që vjen nga Bërveniku e i bjen nëpër Gërdofc.

Lluga e Krygeg’s

Mullini n’ Prrue t’Katunit. – Më vonë u zhvendos nga këtu dhe u vendos te Vau.

Mrizi i Dhenve

Mullini i Shabanit dhe Salihit

Mullini i Jasharit . – Te VAU

Mullini i Vaut, – ky mulli ka qenë i Zenelit. Serbët që në vitin 1924, kur vinë si kolonizatorë, në emër të reformës agrare, ia marrin Zenelit dhe ia japin një serbi.

Poilla, – krua.

Prroni i Lajthisë

Plepat. – Kanë qenë disa plepa aty, prandaj janë quajtur në emër të  tyre.

Plepat e Shabanajve. – Këta plepa sot janë të rinj. Në plepa rrinin Shqiponjat. Disa nga banorët i gjuajtën Shqiponjat dhe ato u larguan. Dikush që kishte tentuar t`i prente edhe plepat e mëdhenj, kishin pësuar keq; ishin lënduar, kishin pësuar në anëtarë të familjes po edhe në të mira materiale u ishte keqësuar gjendja.

Prroni i Katunit

            Roga Rrushullake.

Sokaku i Shehrit. – Rruga që të shpie për në Prishtinë e Podujevë, që ndahet në të dy drejtimet në Lluzhan.

Soishtat, ara.

Shpati i  Katunit

Ura e Dhene. – Është quajtur kështu, nga se kjo urë ka qenë krykëput për kalimin e dhene (deleve) për të shkuar deri tek stanet ku i kanë pasur banorët e Gërdofcit për kafshët e tyre, sidomois të deleve.

Ura e Zallit

            Ura e Vaut

            Ura e Dhene

Vau

Zabeli i Alisë

                       

Nga bylmeti:

Përpeq me vegza. – quhej përpeqi me djathë të deleve, sepse ishte më i mirë.

6.IV.2000                           Informator: Jashar Jashari,  Gërdofc, 1910, bujk, analfabet

Gani Mehmeti                                                           Beqir Jashari , biri i Jasharit

 

 

Vërejtjet dhe këshillat janë të mirëseardhura.