Arinjtë të cilët janë duke lëvizur në afërsi të vendbanimeve të ndryshme të Prizrenit po mbjellin frikë te popullata, por edhe po u shkaktojnë dëme të konsiderueshme në radhë të parë blegtorëve.

Kjo pasi një ari mbyti 38 dele në dy lokacione të ndryshme dhe dëmtoi pesë koshere me bletë. Pas këtyre dëmeve ai zbriti edhe në qytet, ku u filmua në lumin Lumbardh afër qytetit në Prizren.

Një ari tjetër ndërsa është parë në fshatin Lybeçevë nga disa banorë të cilët e kanë filmuar dhe treguar se ai është larguar drejt pyllit.

Bajram Kafexholli, që është drejtor i Parkut Nacional “Sharri”, i cili tregon sa në gjithë parkun që përfshin pesë komuna janë 50 arinj, kurse veç në rajonin e Prizrenit 8-10 arinj.

“Në territorin e Parkut Kombëtar Sharri që përfshin pesë komuna: Dragashin, Prizrenin, Suharekën, Shterpcën dhe Kaçanikun janë përafërsisht rreth 50 arinj që lëvizin vazhdimisht në tërë territorin e parkut me 53 469 ha, mirëpo lëvizin edhe përgjatë shteteve përreth.
Kurse veç në rajonin e Prizrenit janë 8 deri 10 arinj që jetojnë në këtë zonë”, thotë Kafexholli për Reporteri.net.

Ai thotë se është e vështirë të identifikohen se cili ari është duke zbritura në qytet apo cili është duke shkaktuar dëme, duke ju referuar ariut që u raportua që ditë më parë zbriti tek Lumi Lumbardh në Prizren.

Ai tregon se kanë identifikuar se janë tre arinj që po lëvizin afër vendbanimeve.

“Afër vendbanimit Pouske është habitati i arinjve që jetojnë me vite dhe thirret si Proni i ariut. Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtare Sharri në këtë lokacion ka vendosur kamera kurthe dhe përmes tyre deri tani kemi identifikuar tre arinj që lëvizin afër vendbanimit”, tregon Kafexholli.

Ai thotë se deri tani nuk është shënuar ndonjë që arinjtë të kenë rrezikuar banorët që jetojnë afër parkut Sharri, por bën apel të jenë të kujdesshëm.

“Deri me sot nuk kanë paraqitë rrezikshmëri tek banorët që jetojnë afër parkut kombëtare Sharri. Pra deri më sot nuk kemi informata që arinjtë kanë sulmuar apo lënduar ndonjë banorë.

Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtare Sharri me qëllim të parandalimit të ndonjë fatkeqësie ndaj banorëve që jetojnë afër parkut kombëtare kërkon që të jene të kujdesshëm dhe për çdo rast të lajmërojnë organet e sigurisë”, thotë Kafexholli.

Ai thotë se nuk është hera e parë që arinjtë po lëvizin.

“Në bazë të informatave të zyrtarëve përgjegjës të Parkut por edhe informatave të banorëve arinjtë vazhdimisht janë afër vendbanimit Pouske mirëpo edhe ka raste qe kalojnë nëpër vendbanim, sepse lëvizin nga një territor dhe kalojnë në territor tjetër”, shprehet ai.

I pyetur se a duhet kapur arinjtë dhe të mbahen në një vend të caktuar nëse veç rrezikojnë jetën e qytetarëve, Kafexholli thotë se për shqetësimet e ditëve të fundit është formuar një komision nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe në fillim të javës tjetër do të dale me rekomandime.

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor përkatësisht Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës pasi që është informuar rreth dëmeve të shkaktuara nga ariu i murrme dhe shqetësimet e banorëve që jetojnë afër parkut menjëherë ka formuar një komision ku janë të përfshirë zyrtaret e këtyre institucioneve (MMPH/AMMK) dhe Komunës se Prizrenit.
Komisioni është duke mbledhur informacione, vizita në teren, takime të vazhdueshme me banoret lokal, Policinë e Kosovës, FSK si dhe institucionet tjera me qellim që ta kryen punën konform legjislacionit në fuqi. Prandaj duke e parë angazhimin dhe aktivitetet që janë duke u zhvilluar shpresojmë që deri në fillim të javës së ardhshme komisioni do ta kryen punën dhe të del me rekomandime”, thotë Kafexholli.