Familjes Potera, 8 anëtarëshe, e cila tashmë e një vit ka jetuar në një dhomë në gjendje të mjerueshme pasi shtëpia ku ishin duke jetuar u është djegur, sot që nga ora 9:00 e mëngjesit ka filluar t’i vendoset gurëthemeli i shtëpisë së re, njofton Llapi.info.

Lajmin për ndërtimin e shtëpisë së re e ka bërë të ditur imami i Xhamisë së Vjetër në Podujevë, Imri Llugaliu, i cili ishte edhe iniciatori kryesor në mbledhjen e fondacioneve për ndërtimin e kësaj shtëpie.

Në një status në Facebook, Llugaliu para dy ditësh ka treguar se pas disa takimesh që ai ka bërë me disa biznese ka siguruar edhe mjetet fillestare për ndërtimin e kësaj shtëpie.

“Gjatë disa takimeve në pasditen e sotme Gogi autoservis mori përsipër themelin e shtëpisë komplet ai me e financue, ndërsa fabrika e keqapit në Ballofc mori përsipër komplet dritaret me i ble”, kishte shkruar Llugaliu.

Vetëm një ditë më vonë, sërish përmes një statusi në Facebook Llugaliu njoftoi se 95% e mjeteve financiare janë siguruar për ndërtimin e shtëpisë.

“24orë u bënë që prej publikimit të kësaj iniciative në murin tim dhe pothuajse 95% e mjeteve financiare dhe të tjera u siguruan për ndërtimin e kësaj shtëpie”, ka shkruar ai.

Teksa sot, me rastin e fillimit të vendosjes së gurëthemelit të shtëpisë së familjes Potera, Llugaliu u shpreh i lumtur ku shtoi se vetëm me vullnet të mirë dhe iniciativa të tilla punët mund të kryhen më lehtë.

“Falënderoj Zotin që na e mundësoj të gjithëve së bashku me e marrë këtë iniciativë edhe me u krye ishalla kjo shtëpi për këtë familje skamnore. Normalisht kur të është vullneti i mirë edhe i bashkëngjiten një iniciative shumë të mirë, atëherë edhe punët kryhen më lehtë. Apelojmë që sa herë që ka dhe kudo që të ketë këso rastesh të bashkohemi dhe t’ju ndihmojmë këtyre familjeve që sado pak ta gëzojnë një komoditet të jetës me anëtarë në një shtëpi pak më të mirë, sepse është edhe shembulli ku kanë jetua çfarë shtëpi të vjetër e sidomos një dhomë e vjetër ku kanë jetua këta anëtarë. Dhe, Zoti ishalla i shpërblen të gjithë ata që kanë kontribu dhe kontribuojnë dhe padyshim që edhe do t’i shpërblej dhe veç ishalla shihemi në iniciativa të tilla në këso raste dhe të tjera që duhet t’u ndihmohet të gjithëve” u shpreh Llugaliu.

Kujtojmë se kjo familje ka edhe një vajzë 9 muajsh të sëmurë ku për trajtim mjekësor familjes i duhet t’a dërgojë në Shkup për shërim./Llapi.info