Ka filluar shpërndarja e vaksinave në qendrat e mjekësisë familjare, ndërkaq me këtë rast Instituti kombëtar i shëndetësisë u ka bërë thirrje të gjithë personave me sëmundje kronike si dhe të personave mbi moshën 65 vjeçare të vaksinohen kundër gripit sezonal.

Në njoftim është bërë i ditur se vaksinat kundër gripit sezonal, të cilat do të përdoren sivjet, sipas rekomandimeve të bëra nga OBSh, do të jenë katër shtamëshe, që e rrisin fuqinë mbrojtëse ndaj viruseve më agresivë.

“Duke pasur parasysh që vaksinat kundër gripit sezonal, të cilët sivjet do të përdoren për herë të parë janë katër shtamëshe, disa vonesa janë regjistruar si në Kosovë ashtu edhe në vendet e rajonit. Vaksinat janë të dedikuara për të mbrojtur grupet më të ndjeshme të popullatës, si të moshuarit dhe të prekurit nga sëmundjet kronike. Vaksinat e siguruara përmes UNICEF-it janë të parakualifikuara sipas standardeve të OBSh-së dhe garantojnë cilësinë dhe sigurinë e tyre”, thuhej në njoftim.

Vaksinat e blera nga MSh-ja kanë kushtuar 444,170 euro.

Ndërkaq, Nexhmedin Hoti, shef i Shërbimit të Vaksinimit në QKMF në Prishtinë, tha se deri më tani janë vaksinuar 750 persona.


Në një prononcim për RTK, ai tha “Ka shumë persona, që po interesohen. I ftojë pacientët që të mos krijojnë tollovi, ne i kemi 10 mijë vaksina”.

Sipas tij, ka vaksina për të gjitha kategoritë e parapara. “Jemi duke punuar në dy grupe. I ftoj pacientët mos të vijnë në këtë mënyrë sepse ka vaksina të mjaftueshme”, tha ai.

Hoti bëri me dije se nuk ka epidemi të gripit. “Koha është ideale deri në fund të muajit dhjetor”, deklaroi ai