Zgjedhjet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka filluar që të bëhet interesante.
Tashmë ani pse jo publikisht, brenda kësaj partie janë ndarë në katër tabore, dhe secila prej tyre synon që të shtrijë ndikim sa më të madh brenda strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës.Gjersa gara kishte filluar me një përplasje të ashpër mes zyrtarëve më të lartë të kësaj partie, me kalimin e kohës, ajo kishte filluar ‘të nxehet’ në strukturat më të ulëta.
Përplasja mes Lutfi Hazirit dhe Vjosa Osmanit, që kishte ndodhur muaj më parë, tanimë ka kaluar në nivel degësh.Të afërmit e ish-presidentit dhe ish-kryetarit të LDK-së, Fatmir Sejdiu, kanë nisur që ta marrin kontrollin në disa pjesë të Kosovës, sidomos në Prishtinë.Tanimë dega IX e kryeqytetit kontrollohet nga ish-presidenti Sejdiu.
Në krye të saj, gjatë të dielës që shkoi, u zgjodh Florian Dushi, një person i afërm me ish-kryetarin e LDK-së, Fatmir Sejdiu.
Dyshimet për një rikthim të ish-presidentit Sejdiu, sidomos në kryeqendër, u shtuan me faktin që Florian Dushi, arriti që ta fitojë degën 2 të Prishtinës, në një garë të fortë me njërin ndër personat më të afërm të Isa Mustafës, Mustaf Krasniqi.Florian Dushi, në Kuvendin e së dielës, arriti që të merr 55 vota të delegatëve, dhe kundërkandidat kishte Mustafë Krasniqin, i cili mori 46 vota.
Krasniqi deri më tani ka udhëhequr me degën e dytë në Prishtinë.Pamje nga zgjedhjet në degën e dytë të LDK-së në PrishtinëE pikërisht për degën e dytë në Prishtinë, kishte pasur përplasje muaj më parë mes djalit të Fatmir Sejdiut, Bardhylit dhe ish-këshilltarin e Isa Mustafës, Bajram Gecaj.
Madje, këto përplasje kishin shtyrë që të ndërpriten disa herë mbledhjet e nëndegëve për zgjedhjen e kryetarit të degës.Se pati garë të fortë mes njerëzve të Isa Mustafës dhe Fatmir Sejdiut, për ta marrë kreun e degës së dytë në Prishtinë, u konfirmua nga një video e siguruar nga Gazeta Blic.
Ish-zv.minisri i MAPL-së, , në kohën kur kryeministër ishte Isa Mustafa, Bajram Gecaj në atë video shihet i tensionuar duke komunikuar me tone të ashpëra me sigurimin, i cili nuk e lejonte të futeshin disa anëtarë të tij brenda garës zgjedhore në LDK.
Kurse, këtë të diel, Lidhja Demokratike e Kosovës, do të zgjedh kryetarin e degës së 5-të të Prishtinës .Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka treguar për Gazetën Blic, se kanë përfunduar zgjedhja e kryetarëve dhe anëtarëve të nëndegëve të degës së 5 në Prishtinë, teksa ka thënë se këtë të dielë, do përfundojë edhe kryetari i degës.
“Në degën 2 tanimë ka përfunduar nëndegët dhe degët. Kryetar i degës është zgjedhur Florian Dushi. Kurse, në proces zgjedhor ka hyrë edhe dega e 5, në të cilën deri më tani janë zgjedhur kryetarët e nëndegëve dhe të dielën do të zgjedhjet edhe kryetari i degës”, ka thënë shkurt Mustafa.
Por, a do ia arrijë Sejdiu që ta merr ndikimin brenda LDK-së së Prishtinës, kur dihet që kryetari aktual i kësaj partie, Isa Mustafa, ka qeverisur për dy mandate radhazi me kryeqytetin?
Gazeta Blic ka provuar që të kontaktojë me ish-kryeministrin, tani kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, por që kontakti me të ka qenë i pamundur.
Po ashtu, edhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu, ka qenë i paqasshëm ndaj telefonatave të Gazeta Blic.
Javët në vijim do jenë vendimtare për atë se kush do e merr primatin e degëve kryesore të LDK-së në tërë Kosovën, e vecmas në Prishtinë.
E rëndësishme është fakti që Sejdiu, ka filluar që të përmisojë marrëdhëniet me kryetarin e Podujevës dhe degës së LDK-së atje, Agim Veliu. I pyetur se a ka afërsi me kryetarin e Podujevës, Agim Veliu, ish-presidenti, ka thënë se ai tashmë ka afërsi me të gjithë zyrtarët e lartë të Lidhjes Demokratike. Por, Sejdiu e pranoi se ka ekzistuar një periudhë ku shumë personalitete brenda LDK-së, nuk i kanë folur, pasi që sic tha ai janë frikësuar nga hakmarrja e krerëve të partisë.
“Unë kam afërsi me të gjithë. Tash nëse flasim me gjuhën e barcoletave në një periudhë janë frikësuar të më flasin”, tha Sejdiu, teksa është pyetur se a është Veliu ndër personat që nuk kanë pasur guxim që t’i flasin në një periudhë të mëhershme. Mirëpo, Sejdiu u përgjigj se për këtë gjë nuk dëshiron të flas me emra.
Burime të Gazeta Blic, bëjnë të ditur se Veliu, do të jetë kandidati i vetëm për ta rimarrë që nga paslufta kreun e degës së LDK-së në Podujevë, nga rrjedh edhe vendlindja e Sejdiut.
Edhe familja Geci, nga Llausha e Skenderajt, që dikur kishte kundërshtuar ashpër Fatmir Sejdiun në kreun e LDK-së, tashmë kanë ndrruar qëndrim.
Ata kanë deklaruar publikisht që janë në mbështetje të Fatmir Sejdiut, në garën aktuale për të marrë drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Deri më tani, zyrtarisht kandidaturën për kryetar të LDK-së, e ka shpallur kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.Përmenden disa emra tjerë të cilët pritet të hyjnë në garë për kreun e LDK-së.Isa Mustafa, Fatmir Sejdiu dhe Vjosa Osmani, flitet që do të mund ta rivalizojnë njëri-tjetrin për ta drejtuar Lidhjen Demokratike.
Por, para se të shkohet deri tek Konventa për zgjedhjen e kryetarit, tanimë brenda LDK-së ka filluar në heshtje një ‘luftë’ për të marrë sa më shumë kontroll nëpër degë dhe nëndegë.






