Kryetari i AAK- së, dega në Podujevë, Fatmir Humolli është shprehur i gatshëm që në zgjedhjet e 19 nëntorit ta përkrahë kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Ajet Poterën, transmeton Llapi.info.
Humolli këto deklarata i ka bërë gjatë një emisioni ku është shprehur se Podujeva ka nevojë për ndryshime politike pasi që deri më tani në këtë komunë ka qenë një politikë e mbijetesës siç e ka quajtur ai politikë të robit.
“Në këtë garë kemi hyrë për ndryshime politike në Komunën e Podujevës dhe gara e gjithë kandidatëve ka qenë për me heqë një politikë e cila deri tani ka qenë një politikë e mbijetesës ose si të them një politikë e robit që është zhvilluar në Komunën e Podujevës. Komuna e Podujevës ka nevojë për një politikë zhvillimore, për një politikë të guximshme dhe në këtë rast vota shumicë ka qenë për ndryshimin e politikës në Komunën e Podujevës kurse në këtë garë tani është e vërtetë që Ajet Potera është një përfaqësues i ndryshimit dhe edhe pse ne s’kemi bërë koalicion zyrtar duhet bërë përpjekje që ta forcojmë pozicionin e Ajet Poterës që të ketë mundësi të del sa ma mirë në këtë garë me Agim Veliun”, është shprehur Humolli.
Ai ka thënë se “derisa zyrtarisht si kryesi e AAK- së nuk kemi marrë vendim por brenda strukturës së AAK- së derisa nuk është bërë zyrtarisht ndonjë koalicion, nuk kemi pas mundësi dhe nuk kam mundësi që të deklarohem zyrtarisht si kandidat dhe baza e AAK- së do të jetë e lirë të vendos kah të dojë kurse unë personalisht do ta votoj Ajet Poterën.”/Llapi.info