Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit dhe siguri, EULEX, pritet që të largohet nga Kosova më 15 qershor. Mirëpo, kjo nuk do të ndodhë edhe më Njësinë Speciale të Policisë. Këta të fundit pritet që të jenë të pranishëm edhe për një periudhë të pacaktuar.

Megjithatë, drejtimi i përgjithshëm i këtij misionit është futur drejt tranzicionit progresiv të funksioneve dhe përgjegjësive në monitorim dhe këshillim tek instrumentet asistuese të BE-së, si dhe largimi gradual i mandatit ekzekutiv ashtu siç të shihet e duhur.

Zëdhënësja e këtij institucioni, Donika Berisha Rizaj ka thënë për “Indeksonline” se vendimi për të ardhmen e mandatit të EULEX do t’i takon shteteve anëtare të BE-së, gjithmonë në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me autoritetet vendore.

“Misioni i EULEX-it do të vazhdojë të monitorojë disa raste të dorëzuara si dhe të monitorojë dhe këshillojë Shërbimin Korrektues të Kosovës. Misioni do të mbështesë rolin e tij si përgjegjës i dytë i sigurisë”, ka thënë ajo.

Ndryshe, edhe Qeveria e Republikës ka konfirmuar se policët ndërkombëtarë do të vazhdojnë edhe më tutje të qëndrojnë në vendin tonë. Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka deklaruar ditë më parë se ky Njësitë do të jetë më i fokusuar në veri të vendit.