Ekspertja e çështjeve evropiane, Donika Emini, ka vlerësuar se përzgjedhja e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” në koncertin hapës të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel nuk ishte rezultat i pakujdesisë, duke paralajmëruar për pasoja të mundshme në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Emini, e cila ishte e pranishme në koncertin hapës të forumit, në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë, tha se organizatorët është dashur të tregojnë më shumë kujdes ndaj ndjeshmërive historike dhe politike në rajon.
“Nuk mendoj se kjo ndodhi për shkak të pakujdesisë”, ka deklaruar Emini, duke theksuar se problemi nuk qëndron te fakti që kënga ishte në gjuhën serbe, por te pretendimet territoriale ndaj Kosovës që përmban teksti i saj.
Ajo kritikoi edhe qëndrimin e komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila shprehu keqardhje për përzgjedhjen e këngës dhe përgjegjësinë për këtë ia atribuoi muzikantëve.
Sipas Eminit, përgjegjësia për repertorin e një ngjarjeje të organizuar në kuadër të institucioneve evropiane nuk mund t’u shmanget organizatorëve duke ia bartur atë interpretuesve.
Ajo vlerësoi se incidenti ngre pikëpyetje më të gjera për qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, veçanërisht në një kohë kur palët po përpiqen të përmirësojnë marrëdhëniet pas tensioneve të viteve të fundit.
“Pasojat janë të konsiderueshme”, ka thënë Emini, duke paralajmëruar se ngjarja mund të ndikojë negativisht jo vetëm në dialogun Kosovë-Serbi, por edhe në atmosferën e përgjithshme të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Brukselit.
Ndërkohë, komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka shprehur keqardhje për përzgjedhjen e këngës, duke theksuar se ajo në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimet e Komisionit Evropian.
Ajo tha se në Komision janë të vetëdijshëm për viktimat dhe vuajtjet e njerëzve në ish-Jugosllavi, duke shtuar se pajtimi nuk nënkupton harrimin e së kaluarës dhe dallimeve, por ndërtimin e një Evrope ku ato nuk do të jenë pengesë për të ardhmen e përbashkët.
Kënga “Oj Kosovo, Kosovo”, e njohur edhe nga vargjet hyrëse “Sa Kosova zora sviće”, u interpretua në version instrumental gjatë koncertit “Meloditë e unitetit: Harmoni nga udhëkryqi evropian”, me të cilin u hap Forumi i Zgjerimit të BE-së në Bruksel.
Përzgjedhja e saj shkaktoi reagime të ashpra në Kosovë. Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, e cilësoi këngën si promovuese të pretendimeve territoriale ndaj Kosovës dhe kërkoi shpjegim urgjent nga Komisioni Evropian.
Ndërkaq, raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, e quajti interpretimin provokim ose shenjë të injorancës së thellë, duke e cilësuar atë si “jashtëzakonisht të papërshtatshëm dhe pa shije”.






