Këtë të mërkurë ka filluar rrënimi i 48 objekteve pa leje në zonën e mbrojtur te Liqeni i Batllavës, raporton KTV .
Ky aksion do të vazhdojë edhe të enjten. Pronarët e këtyre objekteve kërkuan më shumë kohë që t’i heqin gjërat e tyre, duke shtuar se nuk kanë pasur hapësirë as për ankesa.
Por, kryeinspektori në Ministrinë e Mjedisit, Bedri Halimi, tha se pronarët janë paralajmëruar me kohë, dhe se ata do të vazhdojnë punët sipas planit.
Hajrullah Hasani tha se nuk e kundërshton këtë vendim duke shtuar se ende nuk është kompensuar për pronën që u bë pjesë e zonës së mbrojtur.
Ushtruesi i detyrës së ministrit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, tha se pas dhënies së urdhrit për largimin e objekteve pa leje, ka nisur ky aksion, i cili për qëllim ka ruajtjen e resurseve ujore.
Matoshi shtoi se megjithëqë Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, e ka për obligim që të jetë pjesë e aksionit, përfaqësues të saj nuk janë paraqitur fare, madje as në telefon.








