Lokale - eSIMy

Qytetarët gjermanë duhet të largohen nga Ukraina sa më parë, nëse prania e tyre nuk kërkohet në vend, ka thënë ministria gjermane e Punëve të Jashtme.

“Ne po paralajmërojmë që të mos ketë udhëtime për në Ukrainë. Nëse jeni aktualisht në Ukrainë, kontrolloni nëse kërkohet prania juaj. Nëse jo, largohuni sa më parë”.

“Tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës kanë vazhduar të rriten ditët e fundit mes pranisë dhe lëvizjeve masive të njësive ushtarake ruse pranë kufijve të Ukrainës. Një konfrontim ushtarak nuk mund të përjashtohet”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie në uebsajt.

Konsullata e Përgjithshme Gjermane, në Ukrainë, është mbyllur përkohësisht, shkruan CNN, tranmseton Klankosova.tv.

Për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë, edhe Holanda ka kërkuar nga shtetasit e vet që të largohen nga Ukraina.

“Situata e sigurisë, që ka qenë shqetësuese edhe më herët, është përkeqësuar ditëve të fundit. Në konsultim me aleatë të ndryshëm, po e ndërmarr këtë hap dhe po iu bëj thirrje të gjithë holandezëve që të largohen nga Ukraina”, ka thënë ministri i Punëve të Jashtme, Wopke Hoekstra, në një njoftim.

Ai tha po ashtu se shumica e personelit në ambasadën e tyre në Kiev do të largohen dhe do të mbetet vetëm një numër shumë i vogël i njerëzve.

Shumë shtete të tjera, përfshirë edhe ShBA-në dhe Britaninë e Madhe, tashmë kanë kërkuar nga shtetasit e vet që të largohen nga Ukraina për shkak të një konflikti të mundshëm atje.