Punëtorët të cilët në format më të vështira sigurojnë të ardhurat e tyre familjare, çdo ditë e më shumë po rrezikohen në vendin e punës, shkruan Llapi.info.
Këtë më së miri e dëshmon një video të cilën e ka dërguar një qytetar i Podujevës në të cilën shihet se si një punëtor i ndërtimtarisë i cili punon në një objekt në ndërtim në Podujevë, qëndron në një shtyllë të hollë pa masa tjera mbrojtëse në katin e pestë.
Ani pse Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, Neni 6 pika 1 thotë se punëdhënësi detyrohet të ndërmarrë masat për siguri dhe shëndet në punë, përfshirë masat për parandalimin e rreziqeve profesionale, sigurimin e infomatave etj, kjo nuk po respektohet.
“1. Në kuadër të përgjegjësive të tij, punëdhënësi detyrohet të ndërmarrë masat për siguri dhe shëndet në punë, përfshirë masat për parandalimin e rreziqeve profesionale, sigurimin e informatave, trajnimeve të të punësuarve për punë të sigurtë, udhëzimet e duhura për përdorimin dhe mirëmbajtjen e makinerive, instrumenteve, pajisjeve dhe veglave të punës, masat për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të punës.
2. Punëdhënësi duhet të veprojë në vazhdimësi në përmirësimin e kushteve të punës për të ngritur nivelin e sigurisë dhe shëndetit në punë, duke i ndryshuar dhe plotësuar masat e ndërmarra më parë varësisht prej rrethanave të cilat krijohen me ndryshimet e proceseve teknike – teknologjike.
3. Punëdhënësi i përgjigjet të punësuarit për dëmet e shkaktuara nga lëndimi në punë, sëmundjet profesionale ose sëmundjet e lidhura me punën, sipas parimit të përgjegjësisë objektive të së drejtës së detyrimeve”, thuhet në Ligj.
Tutje, ligji detyron punëdhënësin që të zbatoi masat parandaluese, bazuar në parimet e përgjithshme të parandalimiti siç janë, shmangien e rreziqeve, vlërësimin e rreziqeve të pashmangshme etj.
“Masat parandaluese 1. Punëdhënësi detyrohet të zbatojë masat parandaluese, bazuar në parimet e përgjithshme të parandalimit, si:
1.1. shmangien e rreziqeve;
1.2. vlerësimin e rreziqeve të pashmangshme;
1.3. luftimin e rrezikut prej fillimit ose burimit 5
1.4. tejkalimin e shkaqeve të rrezikut;
1.5. adaptimin e punës ndaj individit, veçmas në lidhje me karakteristikat e vendit të punës dhe ambientit të punës;
1.6. zgjedhjen e pajisjeve, metodave të punës dhe të procesit të punës, për të lehtësuar punën e njëtrajtshme- monotone dhe për t’i reduktuar efektet e saj në shëndet;
1.7. përshtatjen me progresin teknik;
1.8. zëvendësimin e kushteve të rrezikshme, me kushte të pa rrezikshme ose më pak të rrezikshme;
1.9. zhvillimin e një politike parandaluese gjithëpërfshirëse që ka të bëjë me teknologjinë, organizimin e punës, kushtet e punës, marrëdhëniet shoqërore dhe ndikimin e faktorëve që lidhen me mjedisin e punës;
1.10. hënien e përparësisë së sigurisë kolektive në raport me sigurinë individuale;
1.11. sigurimin e udhëzimeve të përshtatshme për punë të sigurtë dhe të shëndetshme, për të punësuarin dhe vendosjen e tyre në vendet e dukshme dhe në gjuhën që e kupton ai/ajo.”, thotë Ligji.
Ndiqeni videon:




