Tash e 2 muaj Konxhe Ramazani nga Elbasani rezulton e zhdukur në Kosovë. Shtetasja shqiptare e njohur si “Xheni” punonte si kërcimtare në një klub nate që ndodhet në fshatin Orllat. Gazeta Insajderi ka kontaktuar Prokurori e rastit Ersan Qavolli, i cili ka konfirmuar zgjerimin e hetimeve edhe në shtetit italian.

Prokurori Qavolli tha për Gazetën Insajderi se ende nuk dihet asnjë informacion për vendndodhjen Xhenit, ndonëse shtoi se masat e sigurisë janë shtuar.

Përveç bashkëpunimit me autoritetet e Shqipërisë, tashmë hetimet janë zgjeruar edhe në shtetin e Italisë, tha Qavolli.

“Deri tani nuk ka asgjë lidhur me vendndodhjen e saj. Vetëm se masat e sigurisë janë shtuar dhe kemi kërkuar ndihme juridike ndërkombëtare prej shteteve tjera, tashmë përveç Shqipërisë keni kërkuar ndihme edhe nga Italia përmes ILECO”, tha Qavolli për Insajderin.

Tutje, Prokurori i rastit tregoj se në pyetje janë marrë edhe persona të tjerë të cilët dyshohet se kanë lidhje me zhdukjen misterioze të Xhenit.

“Përveç shtatë personave që janë marrë në pyetje më herët ka edhe persona tjera që janë intervistuar gjatë kësaj kohe, të cilët kemi dyshime se potencialisht munden me pas lidhje me zhdukjen e shtetases shqiptare. Deri tani nuk ka bastisje por vetëm intervista”, tha Qavolli për Insajderin.

Shtetasja nga Shqipëria, Konxhe Ramazani që nga 21 maji i këtij viti rezulton e zhdukur në Kosovë. Ajo punonte si kërcimtare në një klub nate, ndërsa prej disa viteve jetonte në qytetin e Pejës.

Gazeta Insajderi, mëson se klubi ku punonte Konxhe Ramazani, e që njihej si Xheni quhet ‘Te Didi’. Është një klub me muzikë live që gjendet në magjistralen Prishtinë-Pejë, përkatësisht në fshatin Orllat.

Xheni, është nënë e dy fëmijëve, por për fati e saj familjarët nuk kanë asnjë informacion deri tash.

Rasti në Policinë e Kosovë ishte raportuar fillimisht nga nëna e saj më 19 maj në ora 20:00 të mbrëmjes. Ajo kishte deklaruar se vajza e saj ishte larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vend ndodhjen e saj.

“Pejë 19.05.2022-20:00. Me 21.05.2022 një femër shtetase e Shqipërisë me banim në Republikën e Kosovës, ka raportuar se vajza e saj viktima femër është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vend ndodhjen e saj. Rasti është duke u hetuar”, kishte raportuar Policia në raportin e 22 majit./GazetaInsajderi/