Klubi nga “Zahir Pajaziti”, KF Llapi e ka nisur sezonin e ri në mënyrën më të keqe, duke i humbur dy ndeshjet e para radhazi, shkruan Llapi.info.
Ekipi i Tahir Batatinës është mposhtur fillimisht nga Gjilani, e më pas edhe nga Trepça ’89 këtë të shtunë.
Pos kësaj, Llapi ende s’e ka zhvilluar ndeshjen me kampionin e edicionit të kaluar, Dritën.
Përkundër këtij starti jo të mirë, presidenti i klubit llapjan, Beqir Batatina, ka thënë se do t’i arrijnë objektivat.
“Unë do të qëndroj pranë jush edhe në vazhdim! Këto humbje kanë pak rëndësi për ne, këto humbje ndodhin dhe janë pjesë e futbollit, ne do gjejmë motivin për t’u rikthyer edhe më fuqishëm në vazhdimin e kampionatit. Ishim të bashkuar në takimin e parë që kishim së bashku, ashtu do të jemi edhe në vazhdim, të bashkuar, krahë për krahë me njëri-tjetrin për t’i arritur objektivat e klubit”, thotë ai.
“Shumë shpejtë do të jem pranë jush, unë dhe kryesia e klubit kam besim të plotë në shtabin teknik, në futbollistët e mi dhe në stafin punues, sepse ne jemi duke bërë më të mirën por ndoshta edhe fati na e ka kthyer shpinën në këto ndeshje”, ka thënë ai në një postim në faqen zyrtare të klubit./Llapi.info






