Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), sot gjashtëmbëdhjetë kadetë përfunduan pjesës teorike të programit profesional për Inspektor i Inspektoratit Policor të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme Ekrem Mustafa tha se përgëzoi për punën që po bën Akademia e Kosovës për Siguri Publike në sferën e trajnimeve dhe përgatitjes së lartë profesionale jo vetëm për inspektorët e rinj por edhe për policët e rinj.

“Jam këtu për t’iu thënë se vullneti im dhe ndihma ime si ministër nuk do të mungojë asnjëherë sidomos kur kemi të bëjmë me një institucion të rëndësisë së veçantë për Republikën e Kosovës siç është Inspektorati Policor i Kosovës. Në këtë rast mbikëqyrja dhe kontrolli policor nga njerëz kompetent, të pajisur me dije adekuate profesionale dhe më avancime shkencore ndikon në tërësi në kontrollin dhe balancën mes pushteteve gjegjësisht mes shumë institucioneve shtetërore”, tha Mustafa.

Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi vlerësoi se diplomimi i kadetëve është një ngjarje shumë e rëndësishme për Akademinë dhe vendin në përgjithësi.

“Kjo ceremoni renditet në ngjarjen e radhës e cila shënon historinë e Akademisë dhe të Sigurisë Publike në Kosovë në përgjithësi, për arsye se 16 kadetët e Inspektoratit Policor të Kosovës, të parët kanë filluar të ndjekin një program profesional të validuar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, të parët po përfundojnë pjesën teorike të këtij programit dhe të parët do të certifikohen në profesionin e tyre me një program të akredituar”, u shpreh Smakiqi.

Ndërsa kryeshefja Ekekutive e Inspektoratit Policor të Kosovës Miradije Kelmendi tha se diplomimi i kadetëve të rinj është një moment i rëndësishëm pasi që trajnimi dhe certifikimi tyre bëhet në bazë të programeve të validuara nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve.

Ndryshe, aktualisht në Akademi trajnohen ose ndjekin mësime më shumë se 800 kadet, pjesëmarrës në trajnime ose student. Një veçori e këtij trajnimi është se akademia dhe Inspektorati Policor i Kosovës përmes këtij programi kanë jetësuar praktikisht misionin e Akademisë, të përcaktuar me Ligjin e AKSP-së, i cili përcakton akademinë institucion përgjegjës për zhvillimin e trajnimeve.