Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e ka kthyer në rivlerësim tenderin e Komunës së Podujevës që kishte për qëllim furnizimin me dru për nevojat e shkollave dhe QKMF-së.

Arsyeja që ka dhënë Paneli shqyrtues është se Komuna si Autoritet Kontraktues ka rekomanduar për kontratë operatorin ekonomik që nuk i ka plotësuar të gjitha kërkesat e dosjes së tenderit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në vendimin e Gjykatës së tenderëve thuhet se AK-ja ka rekomanduar për kontratë OE-në që ka borxhe në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK). Me këtë rast, OSHP-ja e ka miratuar si të bazuar ankesën e operatorit ekonomik “NTP Bushgegu”-Prishtinë, lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull: “Furnizimi me dru (klasa e parë) për nevojat e shkollave dhe QKMF-së” me numër të prokurimit 615/17/4074/111, të iniciuar nga Autoriteti Kontraktues-Komuna e Podujevës.

Sipas të njëjtit vendim, është anuluar njoftimi për dhënie të kontratës dhe të njëjtin e ka kthyer në rivlerësim.