Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka paraqitur dështimet e Qeverisë në rrugën e integrimit europian.
Mbi këtë bazë, janë pesë fusha ku Qeveria dhe akterët tjerë relevant kanë theks të shtuar të papërgjegjësisë dhe rrjedhimisht dështimet janë më se të vërejtshme, thuhet në njoftimin e GSJP-së.
- Klientelizmi, madhësia enorme e Qeverisë, menaxhimi abuziv i parasë publike dhe një sektor publik jo-efiqient;
- Mungesa e një reforme thelbësore në sistemin e drejtësisë dhe ndikimi politik;
- Një sektor privat jo konkurrent, me tendencë monopolizimi dhe mungesa e një sistemi solid të ruajtjes së konsumatorit;
- Sistemi arsimor i bazuar në premisa të nën-rregullimit, mungesës së kualitetit dhe konkurrueshmërisë me rajonin dhe më gjere;
- Një tendencë në rritje e migrimit si rezultat i imazhit në rënie të institucioneve publike dhe mungesës së barazisë para ligjit.
Arbëresha Loxha, drejtoreshë ekzekutive në GSJP, tha se Qeveria nuk po arrin të përballet me këto sfida dhe ta çojë përpara procesit integrues të Kosovës.
“Emërimet e larta politike në institucionet e pavarura vazhdojnë të jenë të kontrolluara nga interesa partiake dhe klienteliste dhe këtë e kemi pa edhe te ndërmarrjet publike Telekomi”.
“Lufta ndaj klientelizmit është nga reformat e institucioneve dhe dështimi i qeverisë është tregues i mos seriozitet në çuarjen përpara të integrimit evropian. Ne kemi numrin me të madh të dikastereve në Qeveri. Kjo na jep dëshmi se kjo qeveri nuk ka përmbush as minimumin e kërkesave të administratës publike dhe procesit të vendimmarrjes”.
“Përbërja aktuale e drejtësisë e bën atë që është i ndikuar politikisht dhe është i paaftë të përballë rastet e korrupsionit. Në vend se kjo qeveri të përmirësojë këtë gjendje ajo vetëm e ka përkeqësuar atë. Zhvillimi ekonomik vazhdon të jetë vend i monopolizimit ani pse sektori privat nuk mbetet aq konkurrues”.