Derisa Feronikeli llogarit në fitore ndaj KEK-ut, dy skuadrat e tjera që pretendojnë titullin, Prishtina e Llapi, takohen ndërmjet vete dhe njëra prej tyre mund të mbetet edhe një hap prapa liderit, shkruan sot Koha Ditore.
Derbi i javës së nëntë të Ipko Superligës së Kosovës në futboll ndërmjet Prishtinës e Llapit luhet të shtunën (sot, 17:45) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Prishtina është e katërta me 15 pikë, ndërsa Llapi i dyti me 16 pikë. Prin Feronikeli me 20 pikë, ndërsa në vend të tretë është Flamurtari po ashtu me 15 pikë.
Ndonëse vlerësohen pretendentë, Prishtina e Llapi nuk kanë pasur vazhdimësi të rezultateve pozitive në tetë xhirot e para. Kjo ka bërë që trajnerët e të dy skuadrave, Mirel Josa i Prishtinës dhe Bylbyl Sokoli i Llapit, të jenë në situatë jo shumë të volitshme.
Te Prishtina u kthye qetësia paksa pas fitores 1:0 në mesjavë ndaj Lirisë në Prizren. Fundjavën e kaluar Prishtina kishte luajtur vetëm 1:1 ndaj Flamurtarit në stadiumin e qytetit në Prishtinë, që tash e mban emrin e legjendës Vokrri.






