Deputeti gjerman, Michael Brand, ka kritikuar Bashkimin Evropian pas përfundimit të punimeve të Samitit të Berlinit.

Politikani i partisë së Kancelares Angela Merkel, CDU, ka thënë në një prononcim për “Inforadio” (Rundfunk Berlin-Brandenburg) se shkëmbimi i territoreve mes Kosovës e Serbisë është jashtë çdo diskutimi dhe thotë se këtë BE-ja duhet ta bëjë të qartë.

“Shefja e Politikë së Jashtme e BE-së, Mogherini, po flet për ndryshimet kufitare, e kjo është një lojë me zjarrin. Ai që nuk i kundërshton ndryshimet kufitare është bashkëpërgjegjës se në Ballkan mund të nis një luftë e re e nxehtë. BE-ja e ka diskredituar veten atje”, ka thënë Brand, transmeton Koha.net.

Ai ka lavdëruar Kancelaren Merkel për qëndrimin e saj të qartë se nuk do të ketë ndryshime kufitare.

Tutje, deputeti gjerman ka kritikuar Federica Mogherinin dhe Komisionerin Johannes Hahn të cilët i ka quajtur të papërgjegjshëm. “Vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian, por sipas kushteve tona. Qëllimi gjithmonë ka qenë evropianizimi i Ballkanit, e jo ballkanizimi i Evropës”, deklaroi ai.