Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar raportin e monitorimit dhe vlerësimit të performancës së Kuvendit të Kosovës gjatë sesionit pranveror 2021 që u u karakterizua me një ritëm të ngadaltë të punës në procesin legjislativ, por me performancë më të mirë në rolin mbikëqyrës.
Hulumtuesja në KDI Agnesa Haxhiu, në një intervistë për Klan Kosovën, ka treguar se cilat janë disa nga karakteristikat e këtij raporti të publikuar sot.
“Ne e kemi cilësuar këtë sesion të parë të legjislaturës së tetë si sesion që është karakterizuar me një ritëm të ngadaltë të punës në aspekt legjislativ, por me performancë pak më të mirë në rolin mbikëqyrës. Nëse e krahasojmë këtë sesion me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, të legjislaturës së shtatë, ka rritje të lehtë të numrit të seancave të mbajtura ku janë mbajtur 23 seanca, duke përfshirë edhe seancën konstitutive, prej të cilave 16 kanë qenë të rregullta, katër të jashtëzakonshme dhe dy solemne. Ajo që vlen të theksohet se ngjashëm si me dy legjislaturat e kaluara kur kemi pasë mungesë kuorumi në votim e njëjta problematikë është shfaqur edhe tash, ndonëse tash kemi shumicë të konsoliduar, por kjo problematikë është shfaqur sërish te pikat që kërkojnë 2/3-at e votave si rasti i ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare”.
Haxhiu ka thënë se në sesionin pranveror të kësaj legjislature në Kuvendin e Kosovës janë miratuar një numër i vogël i ligjeve, vetëm shtatë, që nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar i bie tre ligje më pak.
Por, a pati më së shumti shkarkime në këtë sesion të Kuvendit të Kosovës që përfundoi dje?
“Fokusi kryesor i Kuvendit në këtë legjislaturë ka qenë marrja me bordet, qoftë në trajtimin e raporteve të institucioneve të pavarura qoftë me bordet e këtyre institucioneve. Kuvendi më herët s’e ka praktikuar metodën e shkarkimit të plotë të bordeve, derisa në këtë legjislaturë i kemi katër shkarkime të bordit të katër institucioneve. Ka edhe një numër të madh të emërimit dhe përzgjedhjes së anëtareve të bordeve që në krahasim me legjislaturat e tjera është performancë goxha e mirë”.
Hulumtuesja në KDI ka thënë se deputetët edhe këtë herë kanë bërë shumë mungesa në seancat e Kuvendit, derisa ata opozitarë i prijnë listës.
“Një problematikë që e përcjell Kuvendin ndër legjislatura është mungesa e deputetëve në seanca. Kjo vjen për shkak të mungesë se sanksioneve brenda rregullores që i jep komoditet deputetëve. Numri total i mungesave deri në fund të korrikut tregojnë se janë shënuar 414 mungesa nga të gjithë deputetët. Nëse flasim për grupet parlamentare del se grupet opozitare kanë më shumë mungesa. Nëse flasim për deputetë individualisht deputetët që kanë munguar më së shumti janë kryesisht deputetët që janë edhe lider të partive opozitare si Behgjet Pacolli, Lumir Abixhiku, Memli Krasniqi. Ka edhe deputetë si Ardian Kastrati që ka numër goxha të madh të mungesave, po ashtu edhe Uran Ismaili”.






