Tri shtëpi në fshatin Brecë dhe një në fshatin Pollatë janë demoluar dhe vjedhur para 6 ditëve nga disa persona, shkruan Llapi.info.

Shtëpitë të cilat janë të braktisura por që shfrytëzohen akoma nga pronarët e tyre, tashmë kanë mbetur pa kabllo të energjisë elektrike dhe gjëra të tjera materiale.

Atyre u janë thyer dyert e dritaret kurse, muret janë shkatërruar tërësisht për ta hequr kabllon e energjisë elektrike.

Pronari i shtëpisë së tij në fshatin Brecë, N. H. ka thënë për Llapi.info se shtëpia e tij ka qenë cak i disa personave edhe para një viti. Ai ka thënë se për këtë janë njoftuar edhe Policia e Stacionit të Podujevës, mirëpo deri më tani nuk kam marrë asnjë informacion lidhur me këtë rast.

‘Para një viti ma kanë thyer shtëpinë. Dritaret e dyert kanë qenë të thyera. Madje në derë vërehej edhe këmba e njërit prej personave që i ka msha derës për me e qitë prej venit. Unë i kom njoftu edhe Policinë i kanë marrë disa shënime prej vendit të ngjarjes po deri tash s’ka kurgja’ ka thënë ai për Llapi.info.

Shtëpia e N. H. edhe pas një viti ka qenë sërish cak i vjedhjeve në këtë fshat. Ai tha se “edhe pas një viti disa persona, se di a të njëjtit a cillt, prapë ma kanë thye shtëpinë. Ma kanë vjedhë një meshalicë dhe një kanatë të një rimorkios së motokultivatorit.”

Të njëjtin rrëfim për këto vjedhje e ka edhe M. H. nga po ky fshat. Ai ka thënë për portalin se kur ka shkuar para 6 ditësh në vendlindje dhe ka parë dyert e shtëpisë së demoluar ka qenë i shokuar.

‘ Kur kam shku edhe e kom pa kamxhikun të qit prej venit edhe dyert e shtëpisë krejt hapun e të shkatrrume, kam mbetë i shokuem”, ka thënë ai.

Të pyetur se a kanë njoftuar sërish Policinë, pronarët e këtyre shtëpive kanë thënë se tashmë nuk kanë besim në ta. Sipas tyre po bëhen një vit që prej se kur janë njoftuar ata lidhur me vjedhje tjera që janë bërë në këto shtëpi mirëpo, Policia nuk kanë njoftuar e as ndërmarrë asgjë. Ata kanë thënë se tashmë me rastet në fjalë do merremi ne personalisht.

Llapi.info ka tentuar të marrë edhe një përgjigje elektronike nga Policia e Stacionit në Podujevë, mirëpo edhe pas 48 orësh ata nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje lidhur me këto vjedhje apo edhe raste tjera të vjedhjeve në qytetin e Podujevës./Llapi.info