Ministria e Arsimit do të udhëhiqet nga partia e cila e përjashtoi Kosovën nga Rrjeti Evropian i Sigurimit të Cilësisë, ka shkruar analisti Agron Demi përmes një statusi të tij në Facebook.

Ai i është referuar Ramë Likajt, emri i të cilit është përmendur si AAK-ja si Ministër i Arsimit.

“Ministri që do ta udhëheqë këtë Ministri është avancuar me plagjiaturë sipas ORCA-s”, ka thënë Demi.

Ai në të njëjtën kohë flet edhe për kandidaten e propozuar nga AAK-ja për postin e ministres së Punëve të Jashtme, transmeton KOHA.

“E dënuara me tetë muaj burg me kusht për deklarim të rremë të pasurisë paska me udhëheq me Ministrinë e Punëve të Jashtme”, shkruan Demi.

Për të, “ky është veç fillimi, teksa ende nuk janë bërë publike marrëveshjet me partitë tjera.

E për Demin, ky është “kthim në normalitetin tashmë 20-vjeçar”.

“Kadal kadal po i kthehemi normalitetit 20 vjeçar. Këto ditë dëshmuan se tjetër gjë është me rrëzu pushtetin përmes zgjedhjeve, e krejt tjetër është me ndërru sistemin“, shkruan ai.

Statusi i plotë i Demit:

Partia që e përjashtoi Kosovën nga Rrjeti Evropian i Sigurimit të Cilësisë, do të udhëheq me Ministrinë e Arsimit. Edhe atë do ta udhëheq një ministër i cili sipas ORCA-s është avancu me plegjiaturë.

Edhe ky është veç fillimi ngase ende nuk janë ba publike marrëveshjet me partitë tjera. Kadal kadal po i kthehemi normalitetit 20 vjeçarë. Këto ditë dëshmuan se tjetër gjë është me rrëzu pushtetin përmes zgjedhjeve, e krejt tjetër është me ndërru sistemin. E sistemi nuk është vetëm partia, por janë edhe institucionet e kapura, gjykatat, mediumi publik e portalet fantome që marrin qindra mijëra euro financim nga paraja publike.