Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq ka folur për tema të ndryshme në lidhje me Kosovën, gjatë një interviste për “Blic”.
Behgjet Pacolli mund ta sjellë në Prishtinë kë do që dëshiron, por nuk mund ta demantojë faktin se 13 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara e kanë tërhequr vendimin paraprak për njohjen e Kosovës, dhe ne i kemi dëshmitë, ka thënë Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq.
Gjatë një interviste për “Blic”, Daçiq ka folur edhe për Samitin e Berlinit, duke u pyetur nëse Serbia është gjithnjë e më afër zgjidhjes me Kosovën, transmeton lajmi.net.
“E vetmja që është njoftuar është se Aleksandar Vuçiq ka qenë nën presion të madh. Prishtina është fajtori kryesor për ndërprerjen e dialogut, taksa e tyre, paralajmërimet e tyre për krijimin e njëfar ushtrie, refuzimi i tyre për verifikimin e kandidaturave të përfaqësuesve serbë për zgjedhje, të gjitha këto janë mjete shpërthyese të vendosura në tavolinën e diskutimit”, deklaroi Daçiq për “Blic”.
“Ne nuk mund ta vazhdojmë dialogun derisa këto mjete nuk të largohen dhe derisa atmosfera për bisedime nuk kthehen në gjendjen normale. Për qëndrimin tonë e dinë edhe Brukseli e Uashingtoni, kurse në Berlin po ashtu e kanë mirëkuptuar. Por, presionet ndaj Serbisë do të vazhdojnë dhe për këtë arsye janë zhvilluar bisedime të rëndësishme të presidentit Vuçiq në Kinë, sepse do të kemi një baraspeshim të pozicionit tonë në skenën ndërkombëtare”, shtoi ai.
Vuçiq ka pranuar se kusht për rikthim në dialog me Kosovën është edhe çështja e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Ky është kushti ynë më i rëndësishëm strategjik në lidhje me dialogun nga i cili asnjëherë nuk jemi tërhequr. Kjo është, fatkeqësisht, e vetmja kërkesë nga marrëveshja e Brukselit që për faj të Prishtinës as deri më sot nuk është përmbushur. Dhe, derisa nuk do të ketë ndryshim të gjendjes në terren, nuk mund të themi se do të ketë çfarëdo marrëveshje ose zgjidhje”, theksoi ai.
Daçiq është pyetur nëse nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit ka qenë gabim i Serbisë.
“Me marrëveshjen e Brukselit, Serbia është kthyer në lojë kur bëhet fjalë për Kosovën. Nëse nuk do të ndodhte, edhe më herët do të ishim përshëndetur nga Kosova. Të gjitha ata që e konsiderojnë si gabim marrëveshjen e Brukselit, le të kthehen në periudhën para saj dhe të shohin se sa kemi pasur mundësi të ndikojmë në çështjen e Kosovës, dhe sa mund të ndikojmë sot”, deklaroi ai. Daçiq ka porositur Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli se çdo reeagim i tij në lidhje me tërheqjen e njohjeve të Kosovës, do të demantohet nga Serbia.
“Pacolli ka një problem të madh se si t’ua shpjegojë të tijëve faktin se në mënyrë katastrofale e kryen punën e tij. Në Prishtinë dhe jo vetëm në Prishtinë të gjithë janë të shokuar sa herë që marrin lajmërimin se një shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara ka tërhequr njohjen e Kosovës dhe kjo u ka ndodhur plot 13 herë. Ai mund ta sjellë në Prishtinë kë do që dëshiron por kjo nuk mund ta mohojë faktin se 13 anëtarë të Kombeve të Bashkuara deri më tani kanë tërhequr vendimin e tyre të mëhershëm për njohjen e Kosovës dhe ne i kemi dëshmitë”, u shpreh ai.