Mirëmbajtjen e rrugëve në qytetin e Podujevës do ta bëjë e njëjta kompani deri me nënshkrimin e kontratës së re, raporton Llapi.info

Sipas zyrës për informim në Podujevë kjo vjen ngase sepse Komuna ka përsëritur tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë stinës së dimrit, për shkak se për Komunën çmimi është i papërballueshëm me kompanitë që kanë konkurruar në tenderin e parë.

“Komuna ka përsëritur tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit, për shkak të çmimeve të papërballueshme për Komunën, me të cilat kanë konkurruar kompanitë në tenderin e parë”, thuhet në përgjigjen e komunës për Llapi.info

Tutje kjo zyrë ka bërë të ditur se me datë 18 dhjetor do të bëhet hapja e ofertave për përzgjedhjen e operatorit ekonomik. Derisa të nënshkruhet kontrata me përfituesin e ri mirëmbajtjen e rrugëve do ta bëjë e njëjta kompani që ka fituar tenderin vitin e kaluar.

“Afati për dorëzimin e ofertave për këtë aktivitet të prokurimit (i përsëritur) është data 18 dhjetor, kur edhe bëhet hapja e ofertave dhe përzgjedhja e operatorit ekonomik. Deri te nënshkrimi kontratës me përfituesin e ri të tenderit, shërbimet për mirëmbajtën e rrugëve do t’i kryejë operatori ekonomik që ka fituar tenderin vitin e kaluar, i cili ka kontratë një-vjeçare”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim për Llapi.info

Kujtojmë se Kompania “Vaakal”është kompania e cila ka fituar tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve në Komunën e Podujevës vitin e kaluar/Llapi.info