E hëna e 3 tetorit po del të jetë 1 shtatori i këtij viti të ri shkollor.

Krejt kjo erdhi, pas përfundimit të grevës pesëjavëshe të mbajtur nga mësimdhënësit me vendim të K Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ku kërkoheshin 100 euro shtesë.

Kjo sindikatë vendosi që ta hedh në votim idenë e pezullimit të grevës deri në janar të vitit të ardhshëm ku 54.88 përqind të votave të sindikalistëve ishin pro pezullimit dhe 45.12 përqind kundër.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, të shtunën në një konferencë për media, zyrtarizoi ndaljen e grevës dhe njëherit i bëri thirrje qeverisë që këtë kohë ta përdorë për dialog.

“Qeveria dhe opinioni le ta dinë se greva nuk po mbyllet, por po pezullohet deri në janarin e vitit 2023 bazuar në vullnetin e deklaruar të anëtarësisë, edhe pse rezultatet e deklarimeve u pa se janë me diferencë jo shumë të madhe”, tha Jasharaj. Kundër pezullimit të grevës janë deklaruar 45.12 përqind e mësimdhënësve që votuan.

Pezullimi i grevës u mirëprit nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.Ajo i ka ftuar të gjitha shkollat që s’i kanë shpërndarë tekstet mësimore, që këtë ta bëjnë të hënën në orën e parë të mësimit.

“Një muaj i humbur i mësimit është një dëm i madh, andaj dhe puna e angazhimi i të gjithë neve për të përmirësuar këto humbje, duhet të jetë edhe më i madh”, ka thënë Nagavci.

Ministria që drejtohet nga nagavci sot ka dalë me një njoftim në të cilin thotë se janë gati për të filluar procesin mësimor, duke shtuar se i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme.

“MAShTI njofton se janë shpërndarë të gjitha tekstet në komuna e shkolla sipas kërkesave të drejtorive komunale të arsimit. Teksti i gjuhës shqipe, klasa e pestë, tekst i ri i hartuar këtë vit, do të dërgohet brenda kësaj jave në shkolla”, thuhet në njoftim.

Greva në arsim u shpall nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) më 25 gusht pjesë e së cilës ishin edhe administrat komunale.